Opinione Strategjia e vaksinimit të BE: Propaganda dhe faktet

Strategjia e vaksinimit të BE: Propaganda dhe faktet

Komisioni Europian po kritikohet ashpër për porositjen me vonesë të vaksinave dhe gabime në sigurimin e tyre. Por cila është propagandë dhe ç’thonë faktet, pyet Georg Matthes.

Informacione të pasakta dhe gjykime të përshpejtuara janë helm në kohë krizash, një helm që përhapet shumë shpejt në trup. Çfarë nuk ka bërë BE këto kohë – ka porositur shumë pak vaksina, ka preferuar vaksinat e gabuara, dhe në fund i zemëroi prodhuesit. Në rastin më të mirë në verën e vitit 2025 do të jenë vaksinuar 70% e popullsisë. A ka edhe më për të thënë? Të gjithëve na ka ardhur në majë të hundës lockdowni dhe puna në shtëpi. Edhe nëse duket drita në fund të tunelit kjo nuk na e ndryshon humorin. Përkundrazi. E megjithatë kritika e shumëfishtë ndaj strategjisë së vaksinimit të BE është e ekzagjeruar.

Çdo vend mund të marrë vaksinën kineze

Ajo që është pozitive që në fillim: sigurimi i përbashkët i vaksinës ia vlejti për BE jo vetëm financiarisht, por edhe se me atë u mënjanua një garë e brendshme europiane. Përtej kësaj secili vend është i lirë të sigurojë vaksina të tjera kineze apo ruse, si në rastin e Hungarisë. Kujt nuk i duket se BE nuk po përparon shpejt, mund të nisë procedurën që të japë për cilindo preparat një leje emergjence. Me këtë shkojmë tek Britania e Madhe, mjeshtrja e exit-eve. E këtu duhet ndarë propaganda nga faktet.

Ka tre arsye të thjeshta pse Britania e Madhe ka ecur përpara. Së pari, britanikët vendosën për një leje emergjence dhe filluan më shpejt me vaksinimin. Të 27 vendet e BE vendosën me vetëdije kundër kësaj, me qëllim që koncernet të marrin të paktën një pjesë të përgjegjësisë, nëse punët me vaksinimin e njerëzve shkojnë keq.

Së dyti, britanikët, ndryshe nga BE, vendosën për atë që të mos krijojnë rezerva për vaksinën e dytë. Ata me këtë marrin përgjegjësinë për të mos e dhënë vaksinën e dytë 3 ose 4 javë më vonë. Vaksina e dytë madje jepet 3 ose 4 muaj më vonë atje. Një hap i guximshëm. Edhe ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn ka hedhur tani për diskutim idenë, që vaksina e AstraZenecas të jepet për personat nën 65 vjeç pa e ruajtur dozën e dytë.

BE vendosi me vetëdije ndryshe

Përballë shigjetave që po hidhen kundër BE, duhet të vihen edhe argumentat kundër tyre, pra pse u vendos kështu: Vendet anëtare vendosën kundër këtij kursi, sepse kishin frikë, se përmes kësaj virusi do të përshtatej më shpejt ndaj vaksinës. Ata zgjodhën rrugën e sigurtë, dy doza vaksine.

Së treti, britanikët patën thjesht fat. Me në krye, Boris Johnson, që përpiqet që këtë situatë ta përdorë maksimalisht për vete. Shikoni, Brexit ia vlejti, ky është mesazhi i tij. Nëse i beson koncernit AstraZeneca, BE pati thjesht fatin e keq, që pikërisht në një fabrikë europiane u shfaqën problemet e prodhimit. A nuk duhet të kishte një problematikë e tillë të njëjtin efekt për të gjithë klientët? Po kjo është një çështje tjetër.

Jo gjithçka eci mirë

Natyrisht janë bërë gabime: Janë dhënë shumë herët orare vaksinimi dhe në Bruksel jo çdo gjë eci si duhet. Presidentja e KE, Ursula von der Leyen e ka pranuar, se duhet të ishte investuar më shumë në ngritjen e kapaciteteve prodhuese. Kjo është e vërtetë, por ka si parakusht, që vetë koncernet t’i përmbahen kontratave të furnizimit. Që nga dhjetori vaksina e prodhuar nga Biontech/Pfizer në Belgjikë shkon në Britaninë e Madhe. Nga ana tjetër dozat e parafinancuara nga BE të AstraZeencas ende nuk janë ofruar. Pse ka investuar BE atëherë 336 milionë euro?

Lidhur me akuzën: BE duhej të kishte paguar më shumë. Atëherë çfarë do të thonin kritikët, nëse zhvillimet e vaksinave do të kishin dështuar dhe BE i binte të kishte hedhur në rrugë miliarda? Nëse repartet do ishin gati, por nuk do të kishte asnjë vaksinë të përshtatshme? BE ka bërë pikërisht atë që vendet anëtare kërkojnë prej vitesh: Jini eficientë dhe mos i shpërdoroni paratë tona!

Vaksinimi merr hov në fund të pranverës

Kjo nuk ka të bëjë me autokritikë të shëndetshme. Nëse shikon listën e atyre që janë vaksinuar plotësisht, pra dy herë, atëherë bota duket ndryshe. Eurodeputeti dhe mjeku, Peter Liese ka arritur në përfundimin, se vendet e BE si Italia apo Gjermania janë para britanikëve, Kanadasë apo Japonisë.

Falë financimit disavjeçar të shkencës e hulumtimeve nga BE jemi në gjendjen e mirë që të kemi disa vaksina njëherësh, të tjera pritet të shtohen. Ka qenë e qartë, se tremujori i parë 2021 do të ishte i vështirë. Ne duhet ta përdorim këtë kohë për të përgatitur gjithçka për vaksinat e ardhshme. Vetëm të ankohesh është shpërdorim energjish, kritika e ekzagjeruar joproduktive. Në këtë pikë mund të mësosh diçka nga britanikët. Për shembull, që të vaksinosh 24 orë në shtatë ditë të javës kur të kenë vaksina të mjaftueshme. Kështu edhe BE në fund të pranverës do të ketë një hov të vaksinimit dhe do të tregojë, se solidariteti dhe puna e kujdesshme në fund e sjellin suksesin./DW