Bota Strategjia suedeze nuk funksionoi, ka mesataren më të lartë të vdekjeve

Strategjia suedeze nuk funksionoi, ka mesataren më të lartë të vdekjeve

Suedia është vendi i vetëm në Europë që nuk ndoqi strategjinë e izolimit për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri. Të dhënat flasin për një numër shumë më të lartë të vdekjeve për milionë banorë, në krahasim me fqinjët nordikë. Ekspertët e lexojnë këtë fakt si dështim të qasjes suedeze. Edhe vetë arkitekti i strategjisë, epidemiologu Anders Tegnell në një intervistë për BBC e ka pranuar se teoria nuk funksionoi.

“Nëse flasim për numrin e vdekjeve, strategjia nuk ka funksionuar. Por në krahasim me vendet fqinje ne kemi dhjetëfish më shumë imunitet në popullatë. Politika jonë e besimit tek njerëzit nuk ka dështuar. Nga ana tjetër izolimi nuk ndryshoi shumë gjëra në Britaninë e Madhe apo vende të tjera. Mbyllja e shkollave apo institucioneve të tjera, do të shkaktonte probleme më të mëdha në shëndetin publik dhe ne duhet të mendonim edhe për këtë”, tha Tegnell.

“Kemi një nga kuotat e vdekjeve më të larta në botë dhe kjo është e trishtueshme. Mendoj se dy të tretat ose diçka e tillë nuk do të kishin vdekur”, shton dr. Stefan Hanson, ekspert i shëndetësisë.

“Ata mendojnë se strategjia që po përdorin është e mirë dhe se po funksionon. Por nëse është e mirë si shpjegohen gjithë këto vdekje?” thotë Juliana Jihem.

Statistikat tregojnë se numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me Covid-19 në Suedi është rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga fillimi i muajit prill, duke arritur në 32 mijë, ndërsa mbi 4 mijë persona kanë humbur jetën. E përkthyer në përqindje, është më e lartë edhe se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.