Bota Strategjia suedeze nuk funksionoi? Studimi që tregon disa tregues negativ

Strategjia suedeze nuk funksionoi? Studimi që tregon disa tregues negativ

Një studim suedez zbuloi se deri në fund të prillit, vetëm 7.3 përqind e banorëve të Stokholmit kishin zhvilluar antitrupa ndaj koronavirusit, gjë që mund të shtojë frikën se vendimi për të mos mbyllur Suedinë për shkak të koronavirusit nuk do të çonte në imunitet kolektiv kaq shpejt.

Kjo strategji u mbrojt nga epidemiologu kryesor suedez Anders Tegnell. Ai rekomandoi që të përdoren masa vullnetare kundër përhapjes së virusit, ndryshe nga vendet e tjera që kanë futur masa të detyrueshme dhe karantinë.

Në Suedi, shumica e shkollave, restoranteve, kafeneve dhe dyqaneve mbetën të hapura, edhe pse shumica e Evropës ishte e mbyllur. Nga ana tjetër, numri i vdekjeve nga Covid-19 është shumë më i lartë në Suedi sesa në vendet e tjera nordike, megjithëse më i ulët se në vendet si Britania e Madhe, Italia dhe Franca.

Numri i pacientëve në kujdes intensiv në Suedi ka rënë me një të tretën që kur arriti kulmin në fund të prillit, dhe autoritetet shëndetësore thonë se epidemia është duke u ngadalësuar. Por Suedia ka regjistruar numrin më të lartë të vdekjeve për frymë në Evropë në shtatë ditët e fundit.

Studimi i antitrupave u përpoq të përcaktonte nëse ekzistonte një potencial për imunitet kolektiv, apo nëse një numër i mjaftueshëm i popullatës kishte zhvilluar imunitet, i cili do të ndalonte përhapjen e infeksionit.

Agjencia Suedeze e Shëndetit tha se rezultatet e studimit përputheshin me modelet e tyre se gati një e treta e Stokholmit ishte infektuar, duke shpjeguar se studimi ishte kryer shumë kohë më parë dhe sëmundja ishte përhapur edhe më tej ndërkohë.

“Është më pak nga sa prisnim, por jo shumë, mbase nga një deri në 2 përqind,” tha Tegnell.

Sidoqoftë, koncepti i imunitetit kolektiv ende nuk është testuar në rastin e koronavirusit, dhe nuk dihet se sa zgjat imuniteti nga infeksioni në pacientët e rikuperuar.

Ndër kritikët e qasjes së vendit të tij është Bjorn Olsen, një profesor i sëmundjeve infektive në Universitetin Uppsala, i cili beson se koncepti i imunitetit kolektiv është “i rrezikshëm dhe jorealist” në rastin e Covid-19.

“Unë mendoj se imuniteti i tufës është larg nesh, nëse synojnë ta arrijmë atë,” i tha ai Reuters-it pas publikimit të rezultateve të studimit.

Më shumë se 30,000 njerëz janë infektuar aktualisht në Suedi, dhe 3,831 kanë vdekur, që është tre herë më shumë sesa shuma e vdekjeve në Danimarkë, Norvegji, Finlandë dhe Islandë.