Aktualitet Studenti 19-vjeçar u vra vetëm sepse ishte objektiv i arritshëm?

Studenti 19-vjeçar u vra vetëm sepse ishte objektiv i arritshëm?

Erjon Xhenje ishte vetëm 19 vjeç. Një student i shkëlqyer fizioterapie, jeta e të cilit u ndal mbrëmjen e 18 Shtatorit. Ai po pinte kafe në një lokal në bulevardin “Bujar Bishanaku” në Shkodër, kur u qëllua për vdekje.

Autor i dyshuar i ngjarjes së rëndë, sipas policisë është Bajram Çekorja… Motivi? Me gjasë hakmarrja. Ashtu siç raporton edhe gazetarja Emi Kalaja, dyshimet janë se Erjon Xhenje ishte objektivi më i arritshëm për hakmarrjen që Bajram Çekorja duket se po kërkonte për vrasjen e të atit të tij.

Një ditë më parë, 24-vjeçari u shpall sërish në kërkim nga policia e Shkodrës, tashmë për vrasjen e të riut 19-vjeçar. Emri i Bajram Çekores u artikulua fillimisht për atentatin e dështuar ndaj Alban Bruçajt, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 25 Gushtit.

Vetëm 2 ditë më pas, policia tha se autor i dyshuar ishte Bajram Çekorja dhe Tornado Fusha, e shkak ishte një konflikt që palët kishin pasur 2 vite më herët.

Më 29 Gusht, Ismet Çekorja, babai i 24-vjeçarit doli në një deklaratë për mediat, duke mohuar që djali i tij të qëndronte pas atentatit e duke i quajtur inskenime.

Por 5 ditë më pas, më datë 2 Shtator, 58-vjeçari u ekzekutua për vdekje nga një person ende i paidentifikuar.

E ndonëse zyrtarisht vrasësi i Ismet Çekores nuk dihet, dyshimet janë se të përfshirë në vrasjen e tij janë kushërinjtë e të riut Erjon Xhenje. Ky besohet të jetë dhe motivi përse djali i Ismet Çekores, pikërisht 24-vjeçari Bajram Çekorja të jetë hakmarrë duke i marrë jetën të riut 19-vjeçar.

Momentalisht nuk është ende e qartë sesi arriti policia e Shkodrës të identifikonte pikërisht 24-vjeçarin Çekorja si autor i vrasjes së 19-vjeçarit, megjithatë, siç edhe gazetarja Kalaja sjell në vëmendje, autoritetet që prej fillimisht shpresonin tek gjurmët e gishtërinjve të gjetura në armën e krimit që autorët e braktisën në lagjen Guerrile. Po ashtu, edhe kamerat e sigurisë duket se kanë mundur të ndihmojnë autoritetet për të krijuar një identikit të autorit.

Në vrasjen e Erjon Xhenjes të përfshirë ishin dy persona. Por teksa policia zyrtarisht identifikoi Bajram Çekoren si një prej tyre, identiteti i personit të dytë nuk dihet ende./Tv Klan