Kuriozitete Studimi befasues: Ka 1.8 miliardë pemë në shkretëtirat Sahara dhe Sahel

Studimi befasues: Ka 1.8 miliardë pemë në shkretëtirat Sahara dhe Sahel

Një studim i ri novator i imazheve satelitore me rezolucion të lartë ka zbuluar se, ndryshe nga sa mund të mendohet, ka të paktën 1.8 miliardë pemë në shkretëtirat Sahel dhe Sahara.

Një ekip prej 24 shkencëtarësh nga e gjithë Evropa, SHBA dhe Afrika zbuluan se zona është çuditërisht e mbushur me bimë, çka do të thotë se do të duhet të rishikojmë atë që dinim për dy shkretëtirat kryesore të botës dhe madje edhe politikën publike për shpyllëzimet.

“Ne u befasuam që ka kaq shumë pemë që rriten në shkretëtirën e Saharasë”, tha autori kryesor Martin Brandt, profesor asistent i gjeografisë në Universitetin e Kopenhagës.

“Sigurisht që ka zona të mëdha pa asnjë pemë, por ka ende zona me dendësi të lartë pemësh, madje edhe midis dunave me rërë, aty-këtu dhe disa pemë që rriten.”

Numërimi i pemëve të veçuara në sipërfaqe aq të mëdha toke do të ishte e pamundur nëse nuk do të ishin teknikat e avancuara kompjuterike të inteligjencës artificiale. Rreth 11 000 imazhe satelitore me rezolucion të lartë, të cilat janë mbledhur nga një sipërfaqe 1.3 milion kilometra katrorë (rreth 500 000 milje katrore), u futën në një algoritëm, që vetë Brandt e stërviti duke numëruar individualisht dhe etiketuar rreth 90 000 pemë, në një proces që i mori atij një vit të tërë kohë.

Një punë që do t’i kërkonte një ekipi shumë vite punë, u përfundua brenda pak orësh, falë një algoritmi të fuqishëm. Rezultati i nxjerrë bie në kundërshtim me studimet e mëparshme, të cilat bazoheshin në vlerësime që e çonin numrin e pemëve afër zeros. Përkundrazi, numërimi shumë i detajuar dhe i përpiktë i pemëve zbuloi një dendësi prej 13.4 për hektar. Studimi përjashtoi pemët ose kaçubat me tendë të vogël, duke llogaritur vetëm ato me një madhësi mesatare të kurorës prej 12 metrash katrorë. Ekspertët që rishikuan hulumtimin thanë se së shpejti do të jetë e mundur të hartohet vendndodhja dhe madhësia e çdo peme në të gjithë botën.