Burrat me nivele më të larta të spermatozoideve të forta e ‘të shkathëta’ jetojnë thuajse tre vjet më gjatë sesa ata me ‘notarë’ që mezi mbërrijnë vijën e finishit, thotë një studim i ri. Studimi është kryer mbi 78.000 burra për 50 vjet, raporton CNN dhe është publikuar në Human Reproduction.
Aftësia e spermatozoidit për të kaluar si duhet në rrugët femërore të riprodhimit dhe pllenimin e vezës quhet lëvizshmëri.
“Në kushte absolute, burrat me lëvizshmëri totale më shumë se 120 milionë (për çdo mililitër spermë) 2.7 vite më shumë se sa ata me lëvizshmëri 0-5 milionë”, tha në një deklaratë autori Lærke Priskorn nga Copenhagen University Hospital.
Për ta përkthyer në moshë, një burrë me lëvizshmëri të ulët të spermatozoideve mund të jetojë deri në 77.6 vjet, ndërsa një me lëvizshmëri të lartë deri në 80.3.
“Fakti që ka një lidhje mes cilësisë së spermës dhe jetëgjatësisë është një zbulim i rëndësishëm”, u shpreh dr. Michael Eisenberg nga Stanford University School of Medicine. “Ka pasur studime të mëparshme që tregojnë për këtë lidhje mes shëndetit riprodhues dhe atij të përgjithshëm”, shkroi ai në një email.
Në studimin e ri, shkencëtarët krahasuan cilësinë e kampionëve spermatikë nga vitet 1965-2015 të burrave që i ishin nënshtruar analizave të infertilitetit në Kopenhagë. Më pas cilësia e spermës u krahasuar me të dhënat mjekësore të grumbulluara nga shërbimi shëndetësor.
Lëvizshmëria zakonisht shprehet në përqindje dhe jo numra. Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron normale spermën nëse në çdo kampion ejakulimi 42% e spermatozoidëve shkon deri në destinacion.
Në më pak se 5 milionë për çdo militër spermë, lëvizshmëria lidhet me oligospermia ose numrin e ulët të spermatozoidëve që mund të rezultojë në sterilitet.
Lëvizshmëria rreth 125 milionë për mililitër është normale për një burrë që mund të riprodhohet, por kjo nuk e garanton.
Por nëse jo për riprodhimin, pse do të duhej të analizohej sperma?
Sipas John Aitken nga School of Environmental and Life Sciences në Newcastle, Australi, tregon problemet e shëndetit te të rinjtë.
“Te burrat, duket se profili i spermës jep informacionin më të rëndësishëm për shëndetin dhe mirëqenien e tyre në të ardhmen”, shkroi Aitken.
Një nga faktorët që mund të shpjegojë lidhjen është stresi oksidativ kur radikalet e lira marrin vrull. Këto molekula të paqëndrueshme dëmtojnë ADN-në dhe funksionin qelizor duke çuar në vdekjen e qelizave në trup, përfshirë edhe të spermatozoidëve.
Duhanpirja, alkooli, ekspozimi në diell, pesticidet, kimikatet industriale dhe ndotësit e ajrit janë disa nga mënyrat sesi aktivizohen radikalet e lira. Trupi lufton përmes antioksidantëve që mund të parandalojnë dhe riparojnë dëmin e shkaktuar nga disa lloje radikalesh të lira.
Suplementet nuk janë rezultative por dietat e shëndetshme që përmbajnë agrume, speca të kuq e të gjelbër dhe brokoli kanë vitaminë C, ndërsa arroret, farat, spinaqi etj janë burime të mira të vitaminës E. Salmoni dhe peshku ton kanë selen njësoj si edhe orizi kaf, vezët dhe buka integrale. Beta karoteni mund të gjendet te karrota, kajsia, kale, mangoja dhe patatja e ëmbël.