Një teknikë e re i ka dhënë fund një enigme jetëgjatë: shiu mund të ndryshojë malet. Efekti dramatik që reshjet e shiut kanë mbi evolucionin e maleve është debatuar për një kohë të gjatë mes gjeologëve, por një studim i ri i publikuar në “Science Advances”, përllogarit impaktin e tij duke thelluar më tej njohuritë tona për mënyrën sesi janë zhvilluar majat dhe luginat përgjatë miliona viteve.
Është intuitive që shiu gërryen malet, duke ndryshuar topografinë e një vargu, madje edhe tektonikën e tij, por kjo lidhje ka qenë e vështirë të provohet.
Për të vendosur një lidhje midis modeleve të klimës dhe niveleve të erozionit, studiuesit analizuan kokrrat e rërës kuarc nëpër shpatet e Himalajës qendrore dhe lindore në Butan dhe Nepal.
Studiuesit përdorën një teknikë të re datimi që mbështetej në matjen precize të një elementi të rrallë, Berllyium-10, në mostrat e kuarcit.
“Berllyium-10 prodhohet brenda kuarcit kur rrezatimi kozmik, kryesisht neutrone, nga hapësira e jashtme udhëton nëpër atmosferë dhe godet bërthamën e një atomi Oksigjen-16 ose Silicon-28 në mineral”, tha Byron Adams, një prej autorëve të studimit. “Kur ndodh ky bashkëveprim, atomi ndahet, ose prishet, dhe elementët e rinj formohen duke përfshirë Berllyium-10”.
Berllyium-10, ose Be10, është një formë shumë e rrallë e Berllyiumit, kështu që shkencëtarët mund të jenë të sigurt se prania e tij te kuarci është një masë e asaj që quhet “spallation kozmogjene”.
Me fjalë të tjera, duke numëruar atomet e Be10, shkencëtarët mund të masin se sa kohë rëra e kuarcit është ekspozuar në ndonjë vend të caktuar në anët e maleve dhe në luginat e lumenjve.
Për të matur shpejtësinë e erozionit, duhet nxjerrë një sasi shumë e vogël e Berllyium-10 nga rëra e lumenjve dhe duhet matur saktësisht me spektrometër.
Studiuesit kombinuan matjet e tyre të sakta të shpejtësisë së erozionit me të dhënat e reshjeve dhe lartësive, dhe më pas përdorën modele numerike të sofistikuara për t’u dhënë kuptim të gjithave.
Analiza lejoi ekipin hulumtues të izolonte ndikimin e reshjeve në normat e erozionit. Përparimi i ndihmoi studiuesit të përmirësojnë saktësinë e simulimeve për tektonikën malore.
“Ne zbuluam se nëse përdorim njohuritë e reja për mënyrën se si lumenjtë po u përgjigjen reshjeve, do të mund të kufizonim më saktë gjeometrinë dhe shpejtësinë e prishjeve që vijojnë në Butan”, tha Adams.
Ndërsa studiuesit arritën të konfirmonin ndikimin e reshjeve në erozion dhe aktivitetin lokal tektonik në Himalaja, Adams sugjeron se duhet bërë më shumë punë për të kuptuar fushën e vërtetë të kësaj dukurie.
“Pyetja që mbetet është: A është ky një ndryshim mjaft i madh për të nxitur zhvendosjen e kores?”, tha ai.
Studiuesit aktualisht po punojnë për të zgjeruar analizën e tyre në tërësinë e Himalajeve dhe për të përdorur zbulimet e tyre për të azhurnuar modelet e rrezikut për rrëshqitjet e tokës dhe prishjet e digave.