Extra Studimi: Smartfonët si “kalë Troje” për bakteret dhe koronavirusin

Studimi: Smartfonët si “kalë Troje” për bakteret dhe koronavirusin

Sipas një studimi të ri, smartfonët mund të kenë patur një rol si “kali i Trojës” gjatë kohës së pandemisë.

Siç shkruan “Mirror”, studiuesit nga Universiteti Bond kanë paralajmëruar se smartfonët mund të mbajnë gjatë mikrobet e gjalla, madje dhe koronavirusin. Për këtë arsye ata po e paralajmërojnë publikun që t’i dezinfektojnë rregullisht celularët e tyre.

Në studim, ekipi i shkencëtarëve zbuloi se mikrobet si aureus dhe E.Coli ishin ndër më të zakonshmit që mund të qëndrojnë në smartfonë.

Dr.Lotti Tajuri, i cili drejtoi studimin në fjalë, i përshkruan smartfonët si “hotele me pesë yje me banja të nxehta e bufe falas për mikrobet që të lulëzojnë”.

Ai shtoi: “Ata kanë kontroll të temperaturës, ne i mbajmë në xhepa, ne jemi të varur prej tyre. Ne flasim me to dhe depozitojmë pikla që mund të jenë plot viruse, baktere. Ne hamë me ta, kështu që u japim lëndë ushqyese mikroorganizmave. Dhe askush, absolutisht askush,  nuk e lan ose dezinfekton telefonin e vet”.

Dr.Tajuri shton se disa përdorues i prekin pajisjet e tyre deri në 5000 herë në ditë. Ai thotë se sado shpesh që ne t’i lajmë duart, është e kotë nëse prekim celularin e pa dezinfektuar.

“Le ta marrim këtë hipotezë seriozisht. Nëse i pastrojmë celularët tanë çdo ditë dhe nëse kjo bën diferencën, me këtë aksion të vogël ne mund të ulim kurbën e pandemisë së COVID-19 dhe të shpëtojmë jetë”, apelon Dr. Tajuri.