Kulturë Studiuesit zbulojnë origjinën europiane të filistinëve

Studiuesit zbulojnë origjinën europiane të filistinëve

Duke u bazuar në disa kocka të gjetura në Izrael, studiuesit janë duke zbuluar enigmën e popullit të gjigantit Goliati, filistinët, duke arritur të përcaktojnë për herë të parë origjinat e tyre europiane pas kryerjes së analizave të ADN-së.

Ky zbulim në lidhje me këtë popull që prej antikitetit është vendosur në jugperëndim të shtetit të Kananit, në një rrip toke mes asaj që sot përkon me Tal-Avivin dhe Gazan, u publikua të martën nga revista shkencore “Science Advances”.

Deri tani, studiuesit nuk kishin asnjë informacion që mund t’i ndihmonte të gjenin origjinën e filistinëve. Ata dinin vetëm që këta të fundit kishin mbërritur në këtë rajon semit rreth shekullit XII para erës sonë.

Shkrimet biblike dhe egjiptiane i quanin ata popujt e detit, qeramikat e tyre kuq e zi si dhe arkitektura e tyre duket të tregojë lidhje me civilizimet e pranishme në detin Egje.

“Ideja sipas të cilës filistinët ishin emigrantë nuk ishte vërtetuar dot më parë”, shpjegon Daniel Master, që drejtoi ekipin arkeologjik që studioi fosilet në Ashkelon, një prej pesë qyteteve filistine që sot ndodhen në jugperëndim të Izraelit.

Kockat e gjetura në Ashkelon, përkojnë me epokën e bronzit dhe hekurit dhe janë analizuar me teknologjitë më të fundit në Gjermani.

“Po bëhen 150 vite që arkeologët e të gjithë botës punojnë mbi këtë çështje”, thekson Daniel Master, që e cilëson këtë zbulim si të jashtëzakonshëm.

“Tashmë, me rezultatet e ADN-së në dispozicion, që tregojnë një prejardhje europiane në Ashkelon në shekullin XII para erës sonë, mund të themi që këta njerëz ishin emigrantë të ardhur në këtë rajon në shekullin XII”, thekson ai.