Sport Suarez: Barcelona kërkon një numër 9? Është normale, unë po plakem…

Suarez: Barcelona kërkon një numër 9? Është normale, unë po plakem…

“Nuk është diçka çuditshme që klubi po kërkon një numër 9 tjetër, është realiteti i futbollit. Vjen momenti në të cilin mosha ime nuk do të më lejojë të jem në lartësinë e nevojave të Barcelonës”. Janë këto fjalët e Luis Suarezit, në një intervistë të dhënë së fundmi. Sulmuesi i Barcelonës foli për të ardhmen, por edhe për eksperiencën e tij aktuale me fanellën e klubit “blaugrana”.

“Kërkesat e Barcelonës janë të pafundme, çdo 3 ditë je nën provë, nuk ke pushim. Nëse gabon, nuk të falin. As edhe një ndeshje të gabuar. Nuk është e lehtë të vish në një klub si Barcelona, të përshtatesh dhe të fitosh vendin. U bënë pesë vjet që jam në klub dhe bashkëjetoj në mënyrë konstante me presionin, duke kërkuar të përgjigjem në të njëjtën mënyrë”, – pranoi “El Pistolero”.

Barcelona, siç konfirmohet edhe nga deklaratat e Suarezit, është në kërkim në një numri të ri 9 për të ardhmen. Eric Abidal është që tani duke punuar me stafin për të gjetur zëvendësuesin e uruguaianit dhe siç bën të ditur “El Mundo Deportivo”, ka një listë lojtarësh për sondazhin “blaugrana”.

Klubi është i interesuar për disa lojtarë nëpër Europë si: Lewandowski, Harry Kane, Aubameynag, Mbappe, Icardi, Lautaro Martinez dhe Haaland. Gjuetia e Barcelonës për numrin 9, pas Suarezit, ka nisur.