Sport Suarez: U tregova drejtuesve të Barçës që nuk isha i mbaruar

Suarez: U tregova drejtuesve të Barçës që nuk isha i mbaruar

Në këtë sezon Luis Suarez u ka mbyllur gojën të gjithë kritikëve. Paraqitjet e sulmuesit uruguaian kanë qenë thjeshtë fenomale dhe falë edhe formës së shkëlqyer që ka shfaqur Suarez në këtë edicion me Los Colchoneros, skuadra e Diego Simeones po shkon drejt fitimit të titullit të 11-të në historinë e klubit.

El Pistolero në verë u largua si i padishiruar nga Barcelona me drejtuesit e klubit katalanas të cilët e lanë të lirë me idenë që cikli i tij te blaugranat kishte përfunduar pasi mosha nuk premtonte për të luajtur akoma në nivelet më të larta, por ata u gabuan dhe Suarez u vëretetoi të kundërtën duke shfaqur repertorin e tij më të mirë.

“Vitin e shkuar kam marrë shumë kritika dhe thoshin për mua se nuk isha në gjendje të garoja për kompeticione të rëndësishme, ose se te Barcelona nuk mund të tregoja një nivel të lartë. Dhe kjo krijoi një sfidë për mua në nivelin individual që më bëri të tregoj nivelin tim të vërtetë te Atletico Madrid, u tregova të gjithëve që nuk jam i mbaruar siç mendonin disa”, u shpreh Luis Suarez.

Në këtë sezon me Atleticon e Madridit, Luis Suarez ka realizuar 19 gola në La Liga duke i dhënë një ndihmë të madhe skuadrës në garën për titull, ndërkohë që mungesa e tij në disa takime për shkak dëmtimi bëri që Los Colchoneros të linin shumë pikë në kampionat dhe të rrezikonin edhe kreun e renditjes.