Bota Suedia dhe Danimarka mbyllin zonën rreth tubacioneve të sabotuara të gazit

Suedia dhe Danimarka mbyllin zonën rreth tubacioneve të sabotuara të gazit

Ujërat rreth dy tubacioneve të çara të gazit rus në detin Baltik janë mbyllur si pjesë e një hetimi në vazhdim.

Roja Bregdetare suedeze rrethoi pesë milje detare (rreth nëntë kilometra).

Mbyllja do të thotë se është e ndaluar në atë zonë lëvizja e anijeve, ankorimi, zhytja dhe peshkimi.

Prokurori suedez Mats Ljungqvist tha se ”masa është e nevojshme për të hetuar më tej sabotimin e dyshuar të linjave ‘Nord Stream 1’ dhe 2 nga Rusia në Gjermani”.

Katër rrjedhje u raportuan në tubacione një javë më parë.

Ekspertët perëndimorë dyshojnë se ato janë bombarduar, me disa që fajësojnë Rusinë për ndërprerjen e gazit në shenjë proteste ndaj sanksioneve perëndimore për luftën në Ukrainë.

Kremlini nga ana e tij akuzon Perëndimin se hodhi në erë tubacionet.