Bota Suedia dhe Finlanda braktisin neutralitetin historik: Do i bashkohen NATO-s këtë verë

Suedia dhe Finlanda braktisin neutralitetin historik: Do i bashkohen NATO-s këtë verë

Suedia dhe Finlanda presin anëtarësimin në NATO këtë verë. Gazeta britanike “Times”, duke iu referuar disa zyrtarëve amerikanë, shkruan se anëtarësimi i dy vendeve në aleancë është bërë “temë diskutimesh dhe takimesh të shumta” në bisedimet midis ministrave të Jashtëm të NATO-s. Finlanda pritet ta paraqesë kërkesën zyrtarisht në qershor, e ndjekur nga Suedia.

Suedia dhe Finlanda janë dy vendet më të afërta me Rusinë në Rrethin Arktik. Pas luftës ne Ukraine sondazhet kane treguar se qytetaret mbështesin anëtarësimin në NATO.

Diplomatët europianë, të cituar nga gazeta, thonë se të dy vendet do të zgjerojnë aftësitë e NATO-s, veçanërisht në fushën e mbledhjes së inteligjencës dhe si pjesë e forcimit të forcave ajrore.

“Anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO nuk do të sillte stabilitet në Europë”, Kjo është deklarata e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili theksoi se zgjerimi i Aleancës nuk do të sjellë siguri shtesë në kontinentin europian.

Finlanda dhe Suedia kanë filluar ta shohin si mundësi braktisjen e neutralitetit shumëvjeçar në sfondin e konfliktit Rusi-Ukrainë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi pak ditë më parë se aleanca e pret me kënaqësi hyrjen e Finlandës dhe Suedisë në radhët e saj dhe mund t’u japë mundësinë për t’u bashkuar shpejt. Të njëjtën qasje ka konfirmuar edhe SHBA-ja.