Bota Suedia po mendon të ndryshojë strategjinë: Mjaft me “gjithçka hapur”, të përgatitemi...

Suedia po mendon të ndryshojë strategjinë: Mjaft me “gjithçka hapur”, të përgatitemi për mijëra të vdekur

Suedia po përgatitet të ndryshojë strategjinë për të përballuar dallgën e epidemisë që pritet të përplaset në vend. Me një intervistë tronditëse në stilin Boris Johnson, kryeministri Stefan Löfven paralajmëron suedezët: “Të përgatitemi për mijëra të vdekur”, thotë lideri socialdemokrat për gazetën Dagens Nyheter, duke i kujtuar qytetarëve se “është e rëndësishme mbajtja e disiplinës”, duke evituar përshembull të shkosh të vizitosh prindërit e moshuar dhe që të lajnë sa më shpesh duart, sepse kriza do të shkojë përpara me muaj.

Gjithsecili vendos si procedohet për distancimin social dhe për të forcuar sistemin shëndetësor”, tha Löfven, që shtoi: “Ne e bëjmë në mënyrë të ndryshme. Disa herë varet edhe nga fakti se jemi në një fazë të ndryshme”.

Pra, për momentin kryeministri suedez nuk kërkon të ndryshojë linjën e butë të adoptuar për të përballuar emergjencën, me baret, restorantet, dyqanet dhe zyrat hapur, por thjesht është mjaftuar me eliminimin e kontakteve, duke i besuar përgjegjshmërisë individuale. Për momentin tubimet me më shumë se 50 persona janë ndaluar, kampionati i futbollit dhe manifestimet sportive janë shtyrë, ndërsa shkollat dhe universitetet kanë kaluar në leksionet në distancë.

Kjo strategji që ka ngjallur polemika edhe mes suedezëve, ka nisur të tregojë limitet e veta përballë trendit të përhapjes së koronavirusit. Gjatë javës së fundit, rastet në zonët e Stokholmit – vatra më e madhe e Covid-19 në Suedi – janë dyfishuar, 225 ishin vetëm dje.

Me këtë bilanc të pandemisë, vendi i vogël skandinav (10 milionë banorë) shënon tashmë 6.443 pacientë të infektuar, mes të cilëve 520 në terapi intensive, dhe 373 të vdekur, me një mesatare prej 12 mijë tamponësh në javë.

Ja pse përtej sigurisë së Löfven mbi faktin se Suedia nuk do ta ndryshojë “diversitetin” e saj për pandeminë, duke evituar masa drastike mbi lirinë personale, qeveria e tij nga ana tjetër është gati të ndërmarrë masa emergjente. Qeveria, sipas mediave suedeze, ka gati një propozim ligji që do ta autorizonte për të marrë masa të forta pa aprovimin e parlamentit. Por kjo do të ketë nevojë për përkrahjen e opozitës dhe do të diskutohet në ditët në vijim./Corriere/American Eye