Bota Sulmi mbi Kullat Binjake: Dëshmia e një të mbijetuari 20 vite më...

Sulmi mbi Kullat Binjake: Dëshmia e një të mbijetuari 20 vite më vonë

20 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit, të mbijetuarit ende e mbajnë mend atë ditë të zymtë.

Bruno Dellinger, një biznesmen francez, zyra e të cilit ndodhej në katin e 47-të të Kullës së Veriut rrëfen se atë mëngjes ai kishte mbërritur herët në zyrë. Sot ai kujton momentet që i paraprinë goditjes së avionit  të parë. Ora shënonte 8:46 e mëngjesit.

“Ne jetonim në qiell në Qendrën Botërore të Tregtisë, në një heshtje të jashtëzakonshme, ndryshe nga pjesa tjetër e qytetit. Po meditoja duke parë horizontin. Gradualisht, dy nga punonjësit e mi erdhën, pastaj kontrollova e-mailet, kur papritmas dëgjova zhurmë, zhurma e motorëve të avionëve, një zhurmë e padëgjuar, ishte e pakuptueshme. Pastaj, ndjeva lëvizje në fasadën ku ishte zyra ime, rreth njëzet kate më lart. Unë përjetova goditjet e para nga fasadat e shembura, ndërtesa që lëkundej në një mënyrë shumë shqetësuese. Zgjati shumë gjatë, dy, tre minuta”, tregon ai.

Bruno Dellinger

Pa e ditur çfarë ndodhte, Bruno Dellinger menjëherë mendoi se është një avion, duke kujtuar se edhe më parë një avion kishte goditur aksidentalisht ndërtesën Empire State. Duke mos dashur të bjerë në panik, ai së pari qëndroi në tryezën e tij, para se të kuptonte përfundimisht se duhej të evakuohej urgjentisht nga ndërtesa.

“Kalova një grup njerëzish që po merrnin shkallë të ndryshme nga ajo që mora unë, ata vdiqën. Dola pas një zbritjeje që zgjati 50 minuta, shumë e komplikuar në një nxehtësi të tmerrshme. Unë duhet të kisha vdekur mbi 50 herë gjatë asaj dite. Nëse do të isha larguar dhjetë sekonda më vonë, me të vërtetë do të vdisja”, tregon i mbijetuari i sulmeve të 11 shtatorit.

Pasi zbriti në rrugë, i shokuar Bruno atëherë duhej të përballej me shembjen e kullave, një moment i frikshëm, pastaj një re gjigante pluhuri. Një përvojë që e traumatizoi.

“Brenda pak çasteve, gjithçka u bë më e zezë se nata dhe nuk kishte zhurma. Përballë asaj çka po ndodhte, trupi im mendoi se kishte vdekur. Të gjitha këta elemente: zhurma, dritat, frymëmarrja, janë gjëra që ne nuk i mësojmë, ne i dimë që nga lindja. Por kur ato sfidohen nga forca e ngjarjeve, trupi, mendja nuk i kupton më”, thotë ai.

I traumatizuar, i tmerruar, Bruino Dellinger priti tre muaj para se të merrte guximin të kthehej në vendin e katastrofës. Më pas duhej të vazhdonte jetën. Ai u kthye në punë, shkroi një libër dhe pastaj pati fëmijë. 20 vjet më vonë, ai kthehet mbrapa.

“Ishte shumë e komplikuar të rindërtoja veten, sepse isha një grusht dhimbjeje, isha vërtet i vdekur psikologjikisht. Kur po ecja në rrugë dhe pashë një shenjë jete, dielli po ndriçonte, thashë me vete: kjo nuk është e mundur sepse ti ke vdekur, kisha siguri që diçka shpërtheu në kokën time. Shenjat e jetës filluan të rishfaqen një muaj, dy muaj më vonë: një domate me shije të mirë për shembull. Vetëm gjëra pa kuptim”, kujton ai.

Bruno Dellinger herë pas here rrëfen në media dhe shkolla atë çka ndodhi për t’i treguar tmerrin e asaj dite, një brezi që fatmirësisht nuk e përjetoi 11 shtatorin 2001.