Aktualitet Sulmi ndaj autobusit me nxënës në Kosovë, drejtori i policisë: Po hetohet...

Sulmi ndaj autobusit me nxënës në Kosovë, drejtori i policisë: Po hetohet në më shumë se dy pista

Tre persona mbetën të vrarë, e një tjetër i plagosur, mbrëmjen e së premtes në Gllogjan të Kosovës, kur një autobus që transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan, është sulmuar nga një person i maskuar. Viktimat janë shoferi i autobusit dhe dy nxënës.

Për ngjarjen makabre ka reaguar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmetaj, i cili u shpreh se janë dy-tri pista ku është duke u punuar për zbardhjen e krimit të rëndë.

“Policia është këtu. Aktualisht i kemi dy ose tri pista në të cilat jemi duke punuar. Fatkeqësisht nuk mund të japim detaje sepse në pistat në të cilat po punojmë janë në fazë fillestare. Jemi duke punuar në dy ose tri drejtime, ku i kemi dyshimet me bazë të caktuar, por është herët të themi se kemi person/a të dyshimtë”.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Veton Elshani, ka thënë se policia, tani për tani, nuk ka arsye për të besuar se ngjarja në Deçan është akt terrorist. Sipas tij, policia ka arsye për të besuar se “sulmin e ka kryer një person i vetëm”.

Një nga pasagjerët e autobusit, i cili për fat të mirë arriti t’u shpëtojë plumbave ka treguar momentet e tmerrshme të sulmit.

“Autobusi ishte duke ecur edhe na ka dalë një person i maskuar me kallashnikov në dorë, i cili ka filluar të qëllojë menjëherë në drejtim të autobusit. Gjithçka ka ndodh shumë shpejt”, ka thënë pasagjeri që ka qenë i ulur ne ulëset e para të autobusit.