Bota Sulmi në Kabul, kush janë militantët e ISIS-K?

Sulmi në Kabul, kush janë militantët e ISIS-K?

Presidenti Joe Biden dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë e kanë përmendur vazhdimisht grupin ISIS-K që kërkon të sulmojë objektivat perëndimorë në Afganistan. Praktikisht përditë ka përpjekje nga dega lokale e IS-it për të sulmuar aeroportin, deklaroi ai. Milicia terroriste është “armike e deklaruar” edhe e talibanëve militantë islamistë.

Mediat ndërkombëtare hedhin më shumë dritë mbi grupin xhihadist.

ISIS -K – ose për t’i dhënë atij emrin më të saktë, Provinca Khorasan e Shtetit Islamik (ISKP), është filial rajonal i ISIS (ose i ashtuquajtur Shteti Islamik) që është aktiv në Afganistan dhe Pakistan.

Është grupi më ekstrem dhe më i dhunshëm nga të gjitha grupet militante xhihadiste në Afganistan.

Ai u krijua në janar 2015 në kulmin e fuqisë së ISIS në Irak dhe Siri, para se kalifati i tij i vetëshpallur të ishte mundur dhe çmontuar nga një koalicion i udhëhequr nga SHBA.

Ai rekruton si nga xhihadistët afganë ashtu edhe nga ata pakistanezë, veçanërisht nga anëtarët e talibanëve afganë të cilët kanë parë organizatën e tyre si ekstreme.

ISIS-K nuk beson në një agjendë politike, është e bindur se vetëm Zoti mund të qeverisë. Nga kjo rrjedh se formimi i një Emirati Islamik nuk është i mjaftueshëm për luftëtarët e Daesh-it, të cilët duan të kryejnë një luftë të përhershme në emër të ligjit të Sheriatit. Në territoret e tyre, fondamentalistët “afganë” imponojnë një respekt për ligjin islam dhe vrasin civilë edhe nëse dyshohen se janë spiunë.