Bota “Sulmi vjen si përgjigje ndaj pushtimit hispanik të Teksasit”, deklarata e sëmurë...

“Sulmi vjen si përgjigje ndaj pushtimit hispanik të Teksasit”, deklarata e sëmurë e 21-vjeçarit kundër meksikanëve

Vetëm 19 minuta përpara se të dëgjoheshin të shtënat e para në një Walmart të El Pasos, personi përgjegjës për masakrën ku u vranë 20 persona postoi në internet një deklaratë kundër emigrantëve, ku shpalosi arsyet e tij për atë që do të bënte.

Në këtë deklaratë, 21-vjeçari Patrick Crusius flet për një “pushtim hispanik të Teksasit”, për një plan të detajuar për të veçuar minoritetet etnike në territore të ndara të vendit dhe shpreh besimin se njerëzit e bardhë shumë shpejt do të “zëvendësohen etnikisht”.

“Nuk mund të pres më gjatë. Sot me shumë mundësi do të vdes. Ky sulm është kundërpërgjigje për pushtimin hispanik të Teksasit”, lexohet në deklaratë, ku sqarohet gjithashtu se frymëzimi për këtë sulm vjen nga masakra në dy xhami të Zelandës së Re, ku vdiqën 51 persona në fillim të këtij viti.

“Unë thjesht po mbroj vendin tim nga zëvendësimi kulturor dhe etnik që po vjen nga një pushtim”, shton deklarata.

Në deklaratë, Crusius diskuton edhe për armën që do të përdorë: “Kam një kallashnikov, por do të doja diçka më të fuqishme sepse kallashi nuk është i dizenjuar për të shtënë me breshëri. Mbinxehet shpejt”.

Vendi ku ndodhi sulmi është një destinacion i shpeshtë për klientët nga Meksika, të cilët dynden në qendrën tregtare dhe kthehen sërish në Meksikë pasi bëjnë pazaret.