Kryesore Sundimi i ligjit në Shqipëri mbetet kriter kyç për integrimin në BE

Sundimi i ligjit në Shqipëri mbetet kriter kyç për integrimin në BE

EP-086586A_LIBE-AFET_Hearing

Të hënën në Bruksel, komisioni për Marrëdhënie me Jashtë dhe ai për Liritë Civile në Parlamentin Europian, mbajtën një seancë dëgjimore të përbashkët mbi progresin e bërë dhe sfidat me të cilat përballen vendet kandidate për të përmbushura kriteret bazë për t’u bërë anëtarë në Bashkim Europian.

Përpara se të bëhen anëtarë, vendet kandidate duhet të përmbushin të ashtuquajturat ‘Kriteret e Kopenhagenit’, të cila përshkruajnë rregullat bazë që duhet të përmbushë një vend kandidat për tu anëtarësuar.

Gjatë seancës dëgjimore – e cila pati ndërhyrje nga Christian Denilsson nga Komisioni Europian, Presidenti i Komisionit të Venecias Gianni Buquicchio dhe vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs, pjesëmarrësit nënvizuan se korrupsioni i gjithëpërhapur në gjyqësorin shqiptar e kishte bërë të nevojshme një ndërhyrje të thellë në sistemin e drejtësisë, siç është dhe procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur gjithashtu si procesi i vetingut.

“Është një fakt që Bashkimi Europian është ndërtuar mbi sundimin e ligjit,” deklaroi gjatë fjalës së tij Christian Denilsson, drejtor i zgjerimit në Komisionin Europian.

“Kjo është një kërkesë politike edhe e qytetarëve të Ballkanit, të cilët duan të jetojnë në vende ku sundimi i ligjit është i fortë, korrupsioni është çrrënjosur dhe sistemi i drejtësisë është i pavarur dhe eficent,” shtoi ai.

Për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe kërkesat e qytetarëve, Shqipëria u bë vendi i parë në klubin e vendeve kandidate në Ballkanin Perëndimor që ndërmori tre vjet më parë një reformë të thellë të sistemit të drejtësisë.

Vlerat e përbashkëta  

Shqipëria u njoh si një vend potencial kandidat në BE në vitin 2000 dhe në vitin 2006 nënshkroi marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE-në. Në vitin 2014-të, Tirana u bë zyrtarisht një vend kandidat, por hapja e negociatave me Brukselin ka mbetur peng e rezultateve të dobëta në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Vitin e shkuar Komisioni Europian dha një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave me Tiranën, por Këshilli i BE-së e shtyu vendimmarrjen mbi për Shqipërinë në qershor 2019, duke nënvizuar nevojën për tu fokusuar tek reformat që adresojnë problemet strukturore me sundimin e ligjit.

Sipas Denilsson, neni 49  i Traktatit të BE-së, shprehet se vendet kandidate duhet të përmbushin detyrimin e vendeve anëtare për të promovuar vlerat e përbashkëta të unionit, ku përfshihet dhe sundimi i ligjit – një fushë që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë akoma shume punë për të bërë.

“Disi progres është arritur, por asnjë nga partnerët tonë në rajon nuk është afër arritjes së kritereve për anëtarësim dhe në disa prej tyre ne kemi parë stanjacion dhe hapa mbrapa,” tha ai.

Duke rënë dakord se rruga e anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor ka qene e gjatë, Presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio nënvizoi se që kur përpjekjet për të reformuar drejtësinë në rajon filluan përpara dy dekadave, BE e nënvlerësoi vendosmërinë e politikaneve vendas për ta mbajtur drejtësinë nën kontroll.

“Kur reforma filloi në vitet 90’ ne besonim se gjenerata e re e gjyqtarëve dhe prokurorëve në mënyrë automatike do të krijonte një mentalitet në linjë me sundimin e ligjit,” tha ai. “Ne e nënvlerësuam ngurrimin e politikaneve që gjykata të pavarura të marrin vendime kundër dëshirave të tyre,” shtoi Buquicchio.

Sipas presidentit e Komisionit të Venecias, sistemi i drejtësisë nuk mund ta shohë veten jashtë shtetit demokratik, pasi gjyqësori duhet të jap llogari përpara shoqërisë dhe kjo llogaridhënie duhet të reflektohet në përbërjen e këshillave gjyqësor – të ashtuquajturat qeveri të drejtësisë.

Buquicchio shtoi se referoma në disa raste si në Shqipëri, ka nevojë për shmangie nga rregullat bazë për t’u përballuar me korrupsionin e gjithëpërhapur.

“Në Shqipëri korrupsioni e bëri të nevojshme me përfshirë vetingut e përgjithshëm të gjyqtarëve në detyrë,” tha ai. “Komisioni i Venecias e pranoi këtë nevojë – duke pasur garancitë e duhura, dhe pa vlerësimin tonë pozitiv gjykatat shqiptare me shumë mundësi do ta kishin hedhur poshtë këtë proces,” përfundoi Buquicchio.

Vëzhguesit e privilegjuar

Procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve është pjesa më e debatuar dhe delikate e reformës në drejtësi. Përveç anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisionerit Publik dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pjesëtarët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit kane një rol kyç në mbarëvajtjen e procesit.

“Vëzhguesit ndërkombëtar, nën kornizën e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit janë dëshmitarët e privilegjuar të një procesi të shquar dhe të paprecedentë që po zhvillohet tani në Shqipëri me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, me qëllim vendosjen e sundimit të ligjit në këtë vend,” tha Theo Jacobs, një prej anëtarëve të ONM-së.

Nga tre institucionet e vetingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka funksionin të dyfishtë – si trupë hetuese dhe një formë gjykate e shkalles së parë për subjektet e rivlerësimit. KPK ka 4 trupa komisionerësh të përbërë nga 3 anëtarë. Në fund të hetimit administrativ, KPK i ndan gjetjet me subjektin e rivlerësimit dhe i kalon barrën e provës, në qoftëse ka pasur probleme të identifikuara nga procesi hetimor. Subjekti i hetimit më tej ftohet të japë argumentet dhe provat e tij për t’iu përgjigjur gjetjeve të hetimit. Në fund të procesit KPK vendos për konfirmimin ose shkarkimin nga detyra të subjektit.

Komisionerët Publik përfaqësojnë interesin publik dhe mund të apelojnë vendimet e KPK-së në Kolegjin e Apelimit, pas rekomandimit të ONM-së ose ex-officio. Kolegji i Posaçëm i Apelimit përbëhet nga 7 gjyqtarë me një mandat 9 vjeçar dhe ata janë anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Për të monitoruar procesin e vetingut, komuniteti ndërkombëtar ka dërguar Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, të përbërë 8 vëzhgues ndërkombëtar dhe një staf mbështetës prej 60 personash. Vëzhguesit e ONM-së janë të përfshirë në të gjitha fazat e vetingut. Në fazën e hetimit, anëtarët e ONM-së kanë takimi bilaterale me trupën e KPK-së. Jabocs nënvizon se edhe pse ONM nuk e drejton procesin hetimor ndaj subjekteve të vetingut, vëzhguesit ndërkombëtar e ndihmojnë hetimin.

“Gjatë fazës hetimore ne mund të dërgojmë gjetje, opinione ose rekomandime, në qoftëse nuk jemi dakord me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit,” tha ai. “Ne jemi prezent gjithashtu në dhomë këshillimi, dhe edhe pse nuk marrim pjesë në debate, mbasi vendimi është marrë mund të nxjerrim një opinion kundërshtues,” shtoi Jacobs, duke shpjeguar rolin e ONM-së.

Deri tani KPK ka hetuar 111 subjekte, përfshirë gjyqtarë, prokurorë dhë këshilltarë ligjore. Nga këto raste 48 subjekte janë konfirmuar, 46 janë shkarkuar, 18 janë apeluar, ndërkohë 17 subjekte të tjera kanë dhënë dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë.

“Vëzhguesit ndërkombëtarë nuk janë aty thjesht si figurantë, por në mënyrë aktive mund të kontribuojmë në proces dhe kemi qasje tek të gjithë të dhënat,” tha Jacobs. “Ky nuk është një proces vetingu që thjesht po gërvisht në sipërfaqe por një proces që po ndërhyn thellë,” përfundoi ai./BIRN