Sport Superiorja rinis me sfidën Skënderbeu-Partizani

Superiorja rinis me sfidën Skënderbeu-Partizani

Pas një muaji pushim, kategoria Superiore ringre siparin e saj me fazën e tretë. Sfida kryesore e kësaj fundjave është ajo që do të luhet në Korçë mes Skënderbeut dhe Partizanit, dy skuadra rivale direkt për titullin.

Partizani vjen në këtë ndeshje si skuadra kampione e dimrit, por në dy fazat e para ka dalë i humbur në sfidën me Skënderbeun. Për trajnerin Skënder Gega, për skuadrën e tij vlejnë vetëm 2 rezultate në këtë ndeshje.

Nga ana e tij Skënderbeu, nuk ka pasur aspak rezultate të mira në ndeshjet e fundit të kampionatit, kështu që rëndësia e kësaj sfide për trajnerin Orges Shehi shtohet akoma më shumë.

Java e parë e fazës së tretë të Kategorisë Superiore do të vijojë me ndeshjen e së shtunës mes Kukësit dhe Laçit, ndërsa të dielën do të luhen 3 ndeshjet e tjera; Luftëtari-Kastrioti, Tirana-Kamza dhe Teuta-Flamurtari.