Sport Surpriza e madhe e 100 vjetorit, Tirana miqësore me Juventusin?

Surpriza e madhe e 100 vjetorit, Tirana miqësore me Juventusin?

Mario Nikolli është menaxheri i klubit të Tiranës prej dy vitesh. 26-vjeçari ka prekur disa tema gjatë lidhjes direkte me “Fan Zone” në Supersport, duke filluar nga eksperiencat me Laçin, Skënderbeun dhe ideja e një miqësoreje luksi me bardhezinjtë e Juventusit.

E KALUARA – “Kam jetuar në Laç, deri para disa viteve. Ka diçka më tepër që jam këtu në Tiranë. Kam qenë pjesë e skuadrës atje, kam bërë tifozllëk. Mundohemi të bëjmë punën aty ku jemi, si futbollistët, që tregohen profesionistë. Në Laç isha i vogël, te Skënderbeu përfitova shumë. Isha person kontakti me UEFA-n. Atje jam ndjerë shumë mirë. Kam kaluar shumë mirë dhe kam bërë miq. Tirana është diçka tjetër. E kemi hëngër shiringën bardheblu, themi shpesh herë me batuta me drejtorin”.

ÇMIMI I MADH – “Lojtari i Shekullit? Jemi munduar që kur nuk kishte kampionat ta mbanim faqen aktive, Kemi hedhur foto të vjetra, pastaj bëmë një video ku kërkonim qëndrimin në shtëpi. Gjithashtu hodhëm gola të së shkuarës dhe atë për Lojtarin e Shekullit. Po bëhen përgatitje për 100 Vjetorin dhe e menduam atë çmim. Sa i takon kontestimeve, njerëzit kanë preferenca të ndryshme. Ua lamë në dorë atyre, është një çmim simbolik dhe ishim më shumë se 800 komente që zgjodhën Mingën. Ali Mema ishte i dyti dhe më pas Agustin Kola”.

MIQËSORJA – “Miqësore me Juventusin? Ka qenë një ide, koronavirusi na i prishi planet ne dhe kujtdo. Nuk mund ta konfirmoj, pasi janë disa kontakte. Jemi pezull për momentin, por do mundohemi ta realizojmë. Mund të vazhdojmë kampionatin në verë dhe nuk do të ketë pushim atëherë”.

SKUADRA – “Ekipi nuk është pushim, lojtarët kanë marrë programin dhe futbollistë monitorohen. Dërgojnë peshat dhe flasin me doktorët dhe përgatitësin atletik. Kanë mundësi të bëjnë stërvitje. Nuk është njëlloj si në fushë. Po mundohemi të paktën të ruajnë peshën lojtarët”.