Bota Takimet që bënë historinë: Nga Hrushov-Kennedy te Biden-Putin, shkëndija dhe mirëkuptim

Takimet që bënë historinë: Nga Hrushov-Kennedy te Biden-Putin, shkëndija dhe mirëkuptim

Takimi në Gjenevë mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe homologut të tij amerikan, Joe Biden u zhvillua në një moment tensioni mes Rusisë dhe SHBA-së, pas dekadash marrëdhëniesh konfliktuale apo mirëkuptuese.

Ndoshta, krerët e Shtëpisë së Bardhë dhe ata të Kremlinit, në mënyrë të pashmangshme, kanë zgjedhur të ndjekin këto lloj marrëdhëniesh, por që në fund të fundit kanë bërë historinë e botës.

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, liderët e Bashkimit Sovjetik, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe u takuan në Jaltë dhe Potsdam.

Në këtë mënyrë filloi ndarja e botës në dy blloqe, pas shkatërrimit të nazizmit.

Mbi Europë u ul një Perde e Hekurt dhe për 14 vite liderët e Moskës dhe Uashingtonit nuk u takuan me njëri-tjetrin.

Duhej të vinte viti 1959, kur Hrushovi u bë sekretar i parë i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, që ky i fundit të shkonte në SHBA.

Në qershor 1961, Hrushovi takoi Kennedyn në Vjenë.

Ajo çka mbizotëroi në bisedime ishte situata në Berlin, ku Gjermania Lindore nuk ishte në gjendje të ndalonte eksodin drejt Gjermanisë Perëndimore.

Pas atij takimi u vendos ndërtimi i Murit të Berlinit dhe filloi kriza e raketave të Kubës, që për pak nuk krijoi një konflikt të armatosur mes dy superfuqive.

Marrëdhëniet mes Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së do të vazhdonin të ishin të vështira edhe në vitet e ardhshme, por gjatë viteve 1970-1974 Nixon dhe Brezhnjevi u takuan dy herë në Moskë dhe një herë në Uashington dhe ranë dakord për kufizimin e kokave bërthamore.

Me ardhjen në pushtet të krijuesit të Perestrojkës, Mihail Gorbaçov, filloi një periudhë  mirëkuptimi dhe gradualisht erdhi edhe përfundimi i Luftës së Ftohtë.

Gorbaçovi dhe Ronald dhe Reagan thyen akullin në 1985-n, pikërisht në Gjenevë, ku sot u takuan Putin dhe Biden.

Mbetet historik samiti i Rejkjavikut i vitit 1986, i cili vendos bazat për marrëveshjet e ardhshme mbi çarmatimin bërthamor.

Por, vite më pas, Bashkimi Sovjetik has në vështirësi dhe gjatë viteve ’90, Jelcin bëhet presidenti i një Federate Ruse të porsalindur, ekonomikisht e paqëndrueshme.

Në takimin e tyre të parë, në vitin 1993 në Vankuver, ai dhe Bill Clinton bënë një deklaratë për promovimin e demokracisë.

Por, më 31 dhjetor 1999, Jelcin i dorëzon Putinit çelësat e Kremlinit, fuqia e të cilit kthehet shpejt në të pakufizuar dhe sigurisht, shumë pak demokratike.

George W. Bush foli me ish-zyrtarin e KGB-së në Slloveni, në vitin 2001.

“E pashë në sy duke i parë kështu edhe shpirtin. Një njeri i drejtpërdrejtë, që inspiron besim”, tha Bush për homologun e tij rus.

Megjithatë, marrëdhëniet mes Rusisë dhe SHBA-së, u bënë gjithnjë e më të ftohta.

Fillimisht, Obama kërkoi dialog me ish-presidentin Medvedev dhe në vitin 2009, sekretarja e SHBA-së, Hillary Clinton takon ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke mbajtur simbolikisht në duar një pajisje me pulsant të kuq, mbi të cilin shkruhej ”Reset” (”Rifillim”).

Por, gjithë këto ngjarje nuk sollën ndonjë ndryshim të madh dhe në vitin 2014 veçimi që Rusia i bëri Gadishullit të Krimesë dhe lufta në Ukrainë çuan në përkeqësimin e marrëdhënieve mes Moskës dhe Perëndimit.

Rusia akuzohet për ndërhyrje gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, në favor të Trumpit.

Në një samit në Helsinki me Putinin në vitin 2018, ishte vetë Trump që mbrojti Kremlinin, çka binte ndesh me shërbimet sekrete amerikane, fakt që ish-presidenti amerikan më vonë e quajti ”keqkuptim”.

Me Bidenin president, duket se Putini nuk do t’i ketë të lehta marrëdhëniet me Shtëpinë e Bardhë.