Kryesore Takimi i Metës me opozitën: Jepni kontribut në Këshillin Politik

Takimi i Metës me opozitën: Jepni kontribut në Këshillin Politik

Shembja e Teatrit Kombëtar dhe këshilli politik ishte në qendër të vëmendjes në takimin që presidenti Ilir Meta mbajti me kryetarët e partive të Opozitës së Bashkuar.

Takimi u mbajt sot paradite me kërkesën e tij në Pallatin e Brigadave.

“Kreu i Shtetit shprehu shqetësimin e thellë për ngjarjen e fundit të shembjes së paligjshme të Teatrit Kombëtar dhe e cilësoi atë si provokim për demokracinë, shtetin ligjor, por edhe për Opozitën e Bashkuar dhe natyrisht ndaj vlerave europiane”, informon presidenca.

Gjithashtu Presidenti Meta theksoi rëndësinë që Opozita e Bashkuar të japë kontributin e saj në “Këshillin Politik për të treguar vullnetin për rikthimin e legjitimitetit të të gjithë institucioneve përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”, informon presidenca, duke shtuar se Presidenti informoi opozitën për përpjekjet dhe propozimin prej tij të një platforme konkrete gjithëpërfshirëse për integrimin europian.