Bota Takimi Kurti-Vuçiç, Borrell: Sot nuk arritëm marrëveshje, por nuk do heqim dorë

Takimi Kurti-Vuçiç, Borrell: Sot nuk arritëm marrëveshje, por nuk do heqim dorë

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur një marrëveshje për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe gjatë raundit të ri të mbajtur më 18 gusht.

Por, ai tha se palët janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet në ditët në vazhdim.

“Nuk kemi një marrëveshje sot, por ky nuk është fundi i historisë. Të dy liderët janë pajtuar që procesi ka nevojë që të vazhdojë dhe se diskutimet do të rinisin në ditët në vijim. Ka ende kohë deri në shtator. Unë nuk heq dorë”, tha Borrell.

“Nuk kemi një marrëveshje sot, por kjo nuk është fundi i historisë. Të dy liderët janë pajtuar që procesi ka nevojë që të vazhdojë dhe se diskutimet do të rinisin në ditët në vijim. Ka ende kohë deri në shtator. Unë nuk heq dorë”, tha Borrell.

Borrell tha se takimet e sotme në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me ndërmjetësimin e BE-së, nuk ishin “takime të zakonshme”, por “takime për menaxhimin e krizës”.

Diskutimet në Bruksel vijnë tri javë pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, teksa serbët ngritën barrikada më 31 korrik dhe 1 gusht për të kundërshtuar vendimet e qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.

Kurti dhe Vuçiç, me ndërmjetësimin e Borrellit dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, gjatë 18 gushtit zhvilluan dy takime. Po ashtu, para takimit të parë trilateral dhe pas tij, BE-ja ka mbajtur takime të ndara me delegacionin e Kosovës dhe Serbisë.

As Kurti dhe as Vuçiç ende nuk i janë drejtuar mediave për takimet e sotme në Bruksel.

Presidenti i Serbisë, Vuçiç u largua nga ndërtesa e BE-së pa iu drejtuar mediave, ndërsa shefi i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Petar Petkoviç, u tha gazetarëve se Vuçiç do të qëndrojë në Bruksel edhe për një kohë dhe se do t’i drejtohet publikut të premten, më 19 gusht.

“Ajo që është e rëndësishme është që ne luftuam për paqe, për stabilitet, për zgjidhje kompromisi”, tha Petkoviç.

Në ndërtesën e BE-së ku është zhvilluar dialogu ka qëndruar edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Pala amerikane nuk ka marrë pjesë në dialog, por SHBA-ja mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Ky ishte takimi i tretë midis Kurtit dhe Vuçiçit në Bruksel, pasi në qershor dhe korrik të vitit 2021, dy takimet kishin përfunduar pa ndonjë rezultat.