Kosova Takohen Hoti dhe Vuçiç: Ishte bisedë e vështirë

Takohen Hoti dhe Vuçiç: Ishte bisedë e vështirë

Sot, pas gati 20 muajsh, është zhvilluar një takim mes dy përfaqësuesve të lartë të qeverive të Prishtinës dhe Beogradit.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç u ulën në tryezë ballë përballë në Bruksel nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, Joseph Borrell dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Dy kanë qenë temat e diskutuara në takim që Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti e cilësoi si të vështirë: “Janë diskutuar gjatë bisedimeve: çështja e të pagjeturve dhe zhvillimi ekonomik. Ka qenë takim i vështirë. Qëndrimin tonë e kam prezantuar në këtë takim dhe nuk do të lëviz asnjëherë nga ai qëndrim. Kjo është faza finale e përmbylljes së çështjeve të hapura me Serbinë”.

Të njëjtën gjë konfirmoi edhe kreu i shtetit serb që tha se bisedimet do të vazhdojnë në nivel teknik: “Ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo kërkese të shqiptarëve. Kudo që ata mendojnë se mund të tregojnë në hartë një vend ku atyre u duket, ose mendojnë se ka një varrezë me shqiptarë, ne jemi të gatshëm së bashku me ta dhe me praninë e evropianëve të tregojmë nëse ka diçka apo jo. Por, ne kërkuam të njëjtën të drejtë për ne”.

Pas takimit, Lajçak tha se kishte pasur progres në të dyja çështjet duke paralajmëruar një tjetër takim të nivelit të lartë në Shtator.

Ndërsa kryediplomati evropian Borell tha se ishte i kënaqur që Brukseli kishte marrë rol udhëheqës në negociatat mes dy vendeve duke inkurajuar palët të ecin me frymën e kompromisit dhe pragmatizmit.

Për rivendosjen e dialogut u angazhuan në mënyrë direkte Presidenti i Francës Macron dhe Kancelarja gjermane Merkel.