Bota “Tani duhet të themi të vërtetën”, Franca hap arkivat për gjenocidin në...

“Tani duhet të themi të vërtetën”, Franca hap arkivat për gjenocidin në Ruandë

Franca ka hapur arkivat për gjenocidin e vitit 1994 në Ruandë. Autori kryesor i një raporti të porositur nga presidenti Emmanuel Macron në lidhje me të thotë se roli i Francës para dhe gjatë gjenocidit në Ruandë ishte një “dështim monumental” që vendi duhet të pranojë.

Historiani Vincent Duclert, i cili drejtoi komisionin që studioi veprimet e Francës në Ruandë midis 1990 dhe 1994, i tha Associated Press se “për 30 vjet, debati mbi Ruandën ishte plot gënjeshtra, dhunë, manipulime, kërcënime me hedhje në gjyq. Kjo ishte një atmosferë mbytëse”.

“Tani ne duhet të themi të vërtetën”, shtoi ai. “Dhe kjo e vërtetë do të lejojë, ne shpresojmë që (Franca) të ndërtojë një dialog dhe pajtim me Ruandën dhe Afrikën.”

Ndërsa presidenti i Ruandës, Paul Kagame, e cilësoi raportin si “një hap të rëndësishëm drejt të kuptuarit të përbashkët të asaj që ndodhi”.

Raporti, i botuar në mars, arriti në përfundimin se autoritetet franceze qëndruan indiferentë ndaj përgatitjeve për gjenocid pasi mbështetën qeverinë “raciste” dhe “të dhunshme” të presidentit të atëhershëm të Ruandës Juvénal Habyarimana dhe më pas reaguan me vonesë për vlerësimin e shkallës së vrasjeve. Por kjo i përjashtoi ata nga bashkëpunimi në vrasjen e mbi 800 000 njerëzve.

Vendimi i Macron për të porositur raportin – dhe për të hapur arkivat për publikun – janë pjesë e përpjekjeve të tij për t’u përballur me rolin e Francës gjatë gjenocidit dhe për të përmirësuar marrëdhëniet me Ruandën, duke përfshirë caktimin e 7 prillit ditë të përkujtimit të gjenocidit.