Politika “Tani nuk është koha për politikë”/ Kim: Vlerësoj udhëheqjen e unifikuar, duhet...

“Tani nuk është koha për politikë”/ Kim: Vlerësoj udhëheqjen e unifikuar, duhet të vazhdojë

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim vlerësoi sot udhëheqjen e unifikuar të Presidentit Ilir Meta, Kryeministrit, Edi Rama dhe kreut të PD, Lulzim Basha, por shtoi ajo, kjo duhet të vazhdojë, pasi tani nuk është koha për politikë si zakonisht.

“Bisedova me Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama, kryetarin e PD Lulzim Basha për të vlerësuar udhëheqjen e tyre të unifikuar kundër COVID-19. Kjo duhet të vazhdojë. Tani nuk është koha për politikë si zakonisht”, tha ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim.

“Nuk mund të fitohet lufta pa unitet dhe disiplinë nga të gjithë liderët dhe të gjithë njerëzit, nga Shkodra, në Sarandë”, theksoi Kim.

“Masat e rrepta janë duke dhënë efekt dhe është e natyrshme të ndjehemi të lodhur, por duhet të qëndrojmë vigjilentë. Të gjithë ne – përfshirë Ambasadën e SHBA në Tiranë – duhet të vazhdojmë të bëjmë pjesën tonë për t’i mbajtur të gjithë të shëndetshëm. Jemi me ju. Rri në shtëpi”, u shpreh ambasadorja Kim.

Basha falënderon ambasadoren Kim: PD do vazhdojë të insistojë për testimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur mesazhit të ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim duke e falënderuar atë dhe SHBA për ndihmën kundër COVID-19.

Basha shton se PD do të vazhdojë të insistojë për testim dhe distancim social, të ofrojë zgjidhje konkrete dhe të kërkojë transparencë nga qeveria.

“Falemnderit ambasadorja Kim dhe SHBA për ndihmën kundër COVID-19. PD do vazhdojë të insistojë për testim dhe distancim social, të ofrojë zgjidhje konkrete dhe të kërkojë transparencë nga qeveria”, tha Basha.

“Fokusi ynë është jeta, shëndeti dhe ekonomia e shqiptarëve, jo retorika politike”, u shpreh Basha.