Aktualitet Tani tërmetin e paralajmëron Google (që të paralajmëron për t’u siguruar)

Tani tërmetin e paralajmëron Google (që të paralajmëron për t’u siguruar)

Foto ilustruese nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë më 26 nëntor 2019

Luigi Bignami – Focus

Një sistem i aftë të zbulojë menjëherë një lëkundje sizmike dhe të lëshojë një paralajmërim për popullatën, “duke i dhënë” disa sekonda që mund të jenë fatlume për t’u siguruar. Është ky projekti ambicioz i njoftuar së fundmi nga Google, për të cilin komuniteti shkencor po diskuton mbi efektivitetin e tij.

Vlen të kujtohet se disa sisteme që “marrin” tërmete, dhe në rast se fillojnë alarmin, tashmë ekzistojnë. Më i famshmi është Shake Alert, aktiv në shtetet amerikane të Kalifornisë, Oregon dhe, së shpejti në Uashington, i cili bazohet në të dhënat e mbledhura nga një rrjet i sizmografëve të shpërndarë në të gjithë territorin.

Shpejtësia – Me pak fjalë: sistemi regjistron valët e para që zhvillohen gjatë këtyre ngjarjeve, dhe madje edhe para se të arrijnë një distancë të caktuar (mbani në mend se këto valë udhëtojnë me shpejtësi midis 3 dhe 10 km në sekondë), ai përhap një alarm në popullsi (përmes sirenave, paneleve të ndryshueshme të mesazheve, mesazheve në celularët) e cila informohet disa sekonda para mbërritjes së valës sizmike.

Sa sekonda? Kjo varet nga distanca e epiqendrës, nga natyra e tokës, lloji i valëve që përhapen. Rezultati është që, në shumë raste, popullata ka një shans më të madh të sigurojë vetveten dhe të përfshihet në sjellje vetëmbrojtëse. Ekziston edhe një sistem i ngjashëm në Japoni.

Problemi? ShakeAlert mori 15 vjet kohë për t’u krijuar, duke kushtuar rreth 60 milionë dollarë për të hartuar dhe vendosur, dhe vlerësohet se mbi 30 milionë dollarë në vit janë shpenzuar për ta bërë atë të funksionojë. Shpenzimet e kërkuara kryesisht për të vendosur stacionet e monitorimit. Me këto karakteristika, është e vështirë të mendosh se këto sisteme mund të shërbejnë si model diku tjetër.

Ideja e Google – Por këtu hyn në lojë Google. Ideja e gjigantit të uebit është të zëvendësojë rrjetin tradicional të sizmografëve (të shtrenjtë dhe të vështirë për tu krijuar) me një rrjet të bazuar në smartphone, duke shfrytëzuar aftësinë e këtij të fundit për të zbuluar lëvizjet përmes akseleometrave. Sensorë të tillë të lëvizjes mund të programohen të veprojnë si sizmometra rudimentarë, duke zbuluar lëkundjet e tokës të shkaktuara nga valët e ngjashme me valët e prodhuara nga tërmetet. Me fjalë të tjera, ideja e Google konsiston në dhënien jetë të një sistemi zbulimi të tërmetit i bazuar në mbi 2 miliardë telefona aktivë Android, një rrjet i pozicionuar dhe aktiv tashmë në zonë. Sapo lëkundja të jetë “regjistruar”, sistemi shpërndan alarmin në një mënyrë të ngjashme me atë që ndodh me sistemet automatike tashmë aktive për momentin.

Telefonat Android kanë  zbuluar në rrugë eksperimentale prej një viti tërmete, por deri më tani rezultatet kanë qenë në dispozicion vetëm për studiuesit. Kur një telefon zbulon një sinjal tërmeti, ai dërgon një mesazh, së bashku me një vendndodhje të përafërt, në një server qendror. Gjithçka përpunohet dhe përkthehet (mundësisht) në një alarm. Në fillim kishte shumë alarme të rreme, por për një kohë të shkurtër procedura u përsos. Ndërsa në një sistem alarmi tradicional është e mjaftueshme që vetëm katër stacione të raportojnë një tërmet, në rastin e Google duhet të ketë më shumë se 100 telefona për ta zbuluar atë.

Është aktiv, në fazën e testimit- Me këtë sistem, deri më tani, telefonat Android kanë zbuluar më shumë se 1000 tërmete në të gjithë botën.

“Sinjalizimet performuan mirë për sa i përket shpejtësisë dhe saktësisë, në krahasim me ato të ShakeAlert ose sistemit japonez të alarmit”, thotë Richard Allen, një sizmolog në Universitetin e Kalifornisë, Berkley. “Telefonat zbuluan gjithashtu një tërmet me madhësi 7 ballë që filloi vetëm në veri të Samosit, një ishull grek afër Turqisë, në fund të tetorit 2020. Nëse alarmi mund të ishte shkaktuar, ne do të kishim paralajmëruar shumë njerëz në Greqi.”.

Google ka njoftuar se të parët që do të përfitojnë (nëse dëshirojnë) nga kjo teknologji do të jenë përdoruesit që jetojnë në Zelandën e Re dhe Greqi, vendet ku tërmetet janë një kërcënim i njohur, por ende nuk kanë sisteme automatike të zbulimit dhe paralajmërimit.

Mendimi i ekspertëve – Çfarë mendojnë personat e brendshëm, ekspertët e tërmetit? Nga njëra anë, ka nga ata që mirëpresin lajmet, të tilla si Men-Andrin Meier, një sizmolog që studion sistemet e paralajmërimit të tërmeteve në ETH Cyrih, i bindur se ndërtimi i një sistemi zbulimi të bazuar në përshpejtuesit e smartphone mund të ketë një potencial të madh globalisht. Nga ana tjetër, ka reagime disi më të ftohta.

Sipas disa studiuesve, sistemi i bazuar në Android duhet të përsoset më tej, përpara se të zbulohet: në veçanti, aftësia e tij për të zbuluar tërmete që ndodhin në rajone të populluara pak (domethënë, ku ka pak telefona inteligjentë) duhet të përmirësohet.

Për t’u përmirësuar – Për të mos përmendur që në vende të caktuara të planetit, siç është Zelanda e Re, “shumë tërmete e kanë origjinën në det, ku ka pak telefona”, vëren Caroline Francois-Holden, një sizmologe që deri vonë punonte në GNS Science, Instituti gjeologjik kryesor i Zelandës së re. “Kjo e bën sistemin larg idealit për të paralajmëruar popullatën për ardhjen e një cunami vdekjeprurës. Dhe derisa performanca e sistemit të jetë e qartë, Google duhet mbase të jetë i kujdesshëm për të premtuar shumë”.

Mund të jetë e vërtetë, por nëse sistemi do të funksiononte edhe vetëm për tërmete që ndodhin në zonat e banuara duke lënë vendin për të shpëtuar një numër të madh njerëzish, mbase do të ishte njëlloj një suksesi.