Sport Tare i flet si vëlla Canës: Lorik, e mban mend atë bisedën...

Tare i flet si vëlla Canës: Lorik, e mban mend atë bisedën në zyrën time…

Lorik Cana sonte mori një surprizë të bukur nga Igli Tare, aktualisht drejtor sportiv te Lazio dhe më parë sulmues i kombëtares shqiptare.

Ish-kapiteni i kuqezinjve e admiron “kokën e bardhë” të Tares, e cila tashmë nuk gjuan topa, por nxjerr në pah talente.

Tare konsiderohet një nga më të suksesshmit në Itali në rolin e tij, kështu që Cana shpreson që të ecë në gjurmët e tij, siç tha në emisionin “Exclusive” në “Top Channel”.

“Në aspektin drejtues, udhërrëfyesi dhe ai i cili ka bërë emër nga shqiptarët është Igli. Ai është i suksesshëm. Arritjet e tij na bëjnë mirë të gjithëve. Këta njerëz duhet t’i falenderojmë për atë që kanë bërë, sepse janë shndërruar në një shembull për t’u ndjekur”, – u shpreh ish-kapiteni Cana.

Tare e uroi nëpërmjet emisionit Canën, duke e quajtur “vëllai i vogël”.

“I dashur Lorik. E mban mend kur ishim në zyrën time dhe bisedonim për të ardhmen tënde dhe një nga dëshirat e tua ishte të bëje profesionin tim? E kishe me mëdyshje, por tashmë të uroj suksese. Të kam konsideruar si mikun dhe vëllain tim të vogël. Dua të të shoh në nivele shumë të larta edhe në arenën ndërkombëtare dhe të të kem si konkurrent”.