Kryesore “Tarifat ulen veç për interistët”, dalin mesazhet e Ramës me studentët (FOTO)

“Tarifat ulen veç për interistët”, dalin mesazhet e Ramës me studentët (FOTO)

VKM-ja për uljen e tarifave ka qenë tema e “nxehtë” për të cilën është pyetur më së shumti kryeministri Edi Rama në rrjetin social “WhatsApp” nga studentët, që sipas shefit të qeverisë, i kanë shkruar qindra mesazhe deri në orën 03:00 të mëngjesit të së mërkurës.

Rama nuk ka hezituar t’u përgjigjet dhjetëra mesazheve në tentativën për të sqaruar studentët se tarifat e studimit në universitet për nivelin Bachelor do të përgjysmohen.

Ai u sugjeron studentëve që të kontrollojnë në adresën e Qendrës së Botimeve Zyrtare për të parë VKM-të në fjalë, por nuk ka munguar as ironia dhe batutat nga ana e kryeministrit.

Teksa vetë Rama tha në Twitter se studentët i kishin dërguar mesazhe prekëse, vulgare, por dhe shumë mesazhe me humor, në media kanë dalë edhe foto të “chat-it” të kreut të ekzekutivit me të rinjtë.

Një nga pyetjet ironike të studentëve, që duket se e ka lënë pa fjalë Ramën është, nëse ministrja e shkarkuar e Arsimit, “Lindita Nikolla përfiton zbritje të tarifës me mesataren e saj 5.8”.

Edhe kryeministri ka kthyer disa përgjigje në kufijtë e sarkazmës përveç atyre informuese dhe këshilluese, ku i kërkon studentëve t’i kthehen auditorëve dhe të lexojnë libra.

Në një prej përgjigjeve, Rama si tifoz i Juventus “tallet” me rivalin e torinezëve në Seria A, Interin, duke thënë se “vetëm tifozët e Interit do përfitojnë ulje tarifash se kanë humbur shumë lekë në baste”.