Ekonomi Tatim edhe për punën e dytë që bëni: Ja kush preken

Tatim edhe për punën e dytë që bëni: Ja kush preken

Qeveria ka në plan që të tatojë më shumë të gjithë ata persona që punojnë në dy apo tre punë.

Nga kjo nismë, e cila pritet të miratohet në Kuvend preken rreth 24 mijë të punësuar.

Kjo politikë e re ka për qëllim që të tatojë të punësuarin një herë, për dy apo tre pagat e marra së bashku. Drejtorja e përgjithshme e tatimeve shpjegon arsyen e kësaj nisme.

Dypunësimi apo tre punësimi është konstatuar se është burim shmangie nga detyrimet fiskale. Bëhet fjalë për mjekë, pedagog, arkitekt, inxhinier, janë profesione të mirëpaguara.

Por efekti i kësaj nisme është se në rast se individi i kalon të ardhurat mujore mbi 130 mijë lekë, atëherë ai tatohet 23 % dhe jo 15% sikundër paguan tatim aktualisht.

Për tatimet nisma do të prodhojë barazi në pagesën e taksave për të.

Aktualisht pagat deri ne 30 mijë lekë janë të përjashtuara nga tatimi.

Më pas në varësi edhe të të ardhurave tatimi është progresiv.

Më këtë ndryshim, çdo qytetar që kryen dy punë do të duhet të plotësojë formularin për deklarimin personal të të ardhurave.

Deri tani këtë deklarim e bëjnë ata që arrijnë të ardhura deri në 2 mln lekë në vit, por me ndryshimin e propozuar do të duhet ta plotësojë çdo person që bëjnë dy punë, pavarësisht të ardhurave që gjeneron.