Kryesore Të dhënat inkurajuese: Një dozë e vaksinës ul 80% nevojën e shtrimit...

Të dhënat inkurajuese: Një dozë e vaksinës ul 80% nevojën e shtrimit në spital

Një dozë e vaksinave Pfizer/BioNtech dhe AstraZeneca mund të reduktojë deri në 80% nevojën e shtrimit në spital në rast infektimi me COVID pas marrjes së saj. Kjo përqindje pozitive tepër e lartë vlen kryesisht për moshat mbi 80-vjeç.

Në këtë përfundim është arritur në një studim të kryer nga ekspertët e shëndetit publik në rajonin e Anglisë, të cilët u referohen të dhënave më të fundit të shtrimeve në spitale. Këto të dhëna tregojnë se javët e fundit, numri i të shtruarve me COVID-19, të moshave mbi 80-vjeç ka rënë në mënyrë drastike në numra një-shifrorë.

Kjo kategori është e para që u vaksinua në Britaninë e Madhe, krahas mjekëve dhe grupeve të tjera më të rrezikuara nga infektimi. Me përparimin e procesit të vaksinimit, pritet të përcaktohet e njëjta përqindje edhe për moshat nën 80-vjeç. Marrja e dozës së dytë, sipas studimit, e konsolidon imunitetin dhe shton mbrojtjen ndaj infektimit.

“Rezultatet mund të ndihmojnë për të shpjeguar se përse numri i shtrimeve në terapitë intensive mes personave mbi 80 vjeç është ulur gjatë javëve të fundit. Të dhënat janë tejet inkurajuese dhe tregojnë fuqinë e shkencës. Prandaj kur të vi radha juaj, merreni vaksinën.”, deklaroi Matt Hancock, Ministër i Shëndetësisë.

Britania e Madhe iu ka dhënë dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit më shumë se 20 milionë njerëzve, ose mbi 30 përqind të popullsisë, me të moshuarit që kanë qënë prioritet.

Një tjetër studim i fokusuar tek punonjësit e shëndetësisë tregoi se një dozë e vaksinës mund të reduktojë me 70 përqind covidin simptomatik. Por pavarësisht lajmeve inkurajuese për vaksinat, ka ende pasiguri nëse britanikët do të lejohen të pushojnë jashtë vendit gjatë sezonit veror.

Në fundjavë, Agjencia amerikane e barnave FDA njoftoi se provat klinike kishin treguar se vaksina njëdozëshe Johnson & Johnson reduktonte deri në 85% rrezikun e një infeksioni të rëndë me koronavirus.