Kryesore Të Gjelbrit gjermanë kundër CDU/CSU: E papranueshme që Shqipërisë i vihen kushte...

Të Gjelbrit gjermanë kundër CDU/CSU: E papranueshme që Shqipërisë i vihen kushte çdo vit

Politikani i Të Gjelbërve, Sarrazin tha, se partia e tij do të japë miratimin për çeljen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Ai ka kritikuar njëkohësisht zvarritjen taktike të grupit parlamentar CDU/CSU.

“Ne, Të Gjelbrit, do ta miratojmë çeljen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Ky vendim vjen i vonuar dhe u vonua vetëm për shkak të taktikës së zvarritjes të disa pjesëve të grupit parlamentar CDU / CSU. Të dy vendet i kanë përmbushur mjaftueshëm kushtet. BE-ja tani duhet të tregojë se është një partner i besueshëm dhe të hapë bisedimet e anëtarësimit në BE“, shprehet eksperti i Evropës Juglindore të Të Gjelbërve, Manuel Sarrazin në një deklaratë për Deutsche Welle-n.

Më tej ai shton, se “kushtet shtesë të formuluara nga koalicioni për Shqipërinë e tejkalojnë objektivin. Është e papranueshme që Shqipëria çdo vit të duhet të përmbushë kushte të reja për negociatat e anëtarësimit në BE. Kjo nuk është vetëm e padrejtë, por edhe e padenjë për një bashkëekzistencë evropiane,” – përmbyll Sarrazin deklaratën për DW.

Të Gjelbrit janë partia e tretë që ka deklaruar tashmë hapur se do ta miratojnë çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e VEriut, pas miratimit të djeshëm të kërkesës së qeverisë gjermane nga grupet parlamentare CDU/CSU dhe SPD: Po pritet edhe nga liberalët, E majta deri dje ishte ende në mëdyshje. Vetëm  AfD, Alternativa për Gjermaninë është e mendimit se as Shqipëria dhe as Maqedonia e Veriut nuk janë gati për të çelur negociatat në BE.

Baradari: Po-ja e negociatave sinjal i rëndësishëm

“Është një sinjal i rëndësishëm për integrimin europian të të gjithë rajonit, që grupet parlamentare të koalicionit e hapën rrugën për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, shprehet deputetja socialdemokrate, Nezahat Baradari në një deklaratë për Deutsche Wellen.

Të enjten Bundestagu do të japë përfundimisht dritën e gjelbër për këtë, thekson Baradari.

Por deputetja gjermane e vë theksin tek vazhdimi i reformave. “Të dyja vendet duhet tani të vazhdojnë pa ndryshuar përpjekjet për reforma. Së bashku me partnerët tanë europianë ne do ta ndjekim këtë proces në mënyrë intensive dhe në rast nevoje do të kërkojmë përpjekje të tjera.”/DW