Aktualitet Të infektuarit me variantin “Delta”, Brataj: Numri i të prekurve më i...

Të infektuarit me variantin “Delta”, Brataj: Numri i të prekurve më i lartë se shifrat zyrtare

Numri i të infektuarve në këtë periudhë është më i lartë se sa shifrat zyrtare. Personat e prekur neglizhojnë shenjat duke i konsideruar si ftohje nga kondicioneri dhe nuk kërkojnë testin për Covid.

Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj tregon se personat e konfirmuar pozitiv me koronavirus kanë shenjat tipike të variantit “Delta”. Për fat të mirë deri tani nuk ka raste të rënda.

“Shenjat kryesore ngatërrohen me ftohjen sidomos tani nga ajri i kondicionuar, me dhimbje fyti dhe sekrecione nga hundët. Por këto janë dhe shenjat tipike të variantit “Delta” që shoqërohen edhe nga temperatura”, u shpreh Brataj.

Brataj parashikon rritje të infektimeve në këtë periudhë, pasi mutacioni indian që mendohet se ka hyrë dhe në vendin tonë, përhapet me shpejtësi.

“Është parë që periudha e inkubacionit është shumë e shkurtër. Nga 6 ditë që ishte për variantin anglez ka zbritur në më pak se 4 ditë. Shpeshtësia e përhapjes është më e madhe. Karakteristike në studimet e fundit është fakti se ka një përqindje të lartë si virus, është mbi 1 mijë herë më i përqendruar se sa varianti i Wuhanit dhe ai anglez, gjë që e bën më të rrezikshëm sa i përket përhapjes. Kryesisht kap personat e pavaksinuar, por edhe ata që janë vaksinuar nuk janë përjashtuar nga infektimi”, shtoi kreu i Urgjencës.

Eksperti i Komitetit Teknik thotë se ende nuk është përcaktuar skenari që do të aplikohet vitin e ri shkollor. Brataj sqaron se  para 13 shtatorit do të vlerësohet situata epidemiologjike për të dalë në një vendim.

“Do vazhdojmë monitorimin e gjendjes epidemiologjike dhe të pandemisë. Unë mendoj se vera do të jetë e qetë dhe shtatori nuk do të ketë probleme. Duhet të mendojmë nga shtatori e tutje. Ne do të bashkëjetojmë me virusin. Nuk do të ketë rritje si ato valët që kaluam, por duhet të vaksinohemi”, përfundoi Brataj.

Ekspertët e Shëndetësisë vijojnë thirrjet ndaj qytetarëve, veçanërisht të rinjve, për të marrë të dyja dozat e vaksinës anti-covid në mënyrë që t’i shpëtojnë komplikacioneve nga Delta virusi.