Aktualitet “Të kontrollohen lokalet e plazheve, babëzia e pronarëve po nëpërkëmb masat anti-Covid”

“Të kontrollohen lokalet e plazheve, babëzia e pronarëve po nëpërkëmb masat anti-Covid”

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka apeluar institucionet që të tregojnë më shumë vëmendje për lokalet dhe restorantet e bregdetit në jug të vendit, pasi sipas tij atje rregullat dhe protokollet anti-COVID-19 po nëpërkëmben.

Përmes një postimi në Facebook, Beqaj këmbënguli se “beteja kryesore kundër pandemisë këtë javë është në bregdetin e Jonit”, ku lokalet e plazhit po lejojnë “plagosje me paramendim”, “po sakrifikohen sakrificat 5 mujore të personelit shëndetësor” dhe “po nëpërkëmben politikat mbështetëse”.

“Babëzisë së pronarëve së atyre bizneseve për të fituar shumë e shpejt në kurriz të shëndetit të shqiptarëve duhet t’u përgjigjemi me forcën e ligjit. Karshillëku i administratorëve të atyre bizneseve për të shkelur ligjin meriton ndëshkimin shembullor. Situatat e paqarta që kalojmë kërkojnë vendosmëri të lidershipit. Koha është tani!” – thekson Beqaj.

Për shkak të pandemisë së COVID-19, qeveria ka ndaluar grumbullimet e njerëzve, sidomos në mjedise të mbyllura. Për këtë ajo ka mbyllur klubet e natës dhe ka vendosur të ndalojë edhe muzikën përtej orës 20:00 në lokale dhe restorante.

Lokalet dhe restorantet lejohen të ushtrojnë aktivitetin vetëm në mejdise të hapura ndërsa autoritetet shëndetësore kanë kërkuar që të respektohet një protokoll i caktuar që mundëson së paku distanca fizike mes klientëve dhe shërbim të higjienës.

Prej muajit mars, kur u diagnostikua i infektuari i parë me COVID-19 në Shqipëri, autoritetet kanë pikasur rreth 6,700 raste të tjera, prej së cilave rreth 3,500 janë mundur të shërohen, 205 nuk ia kanë ndalë mbanë ndërsa rreth 3,000 mbeten të infektuar.