Aktualitet Të maskuar si specialistë të Metalurgjikut, me mision sekret në luftën e...

Të maskuar si specialistë të Metalurgjikut, me mision sekret në luftën e Vietnamit/ Dëshmia e ish-ushtarakut Fadil Toçi

Memorie.al publikon rrëfimin e ish-Komandantit të Artilerisë Kundërajrore të Ushtrisë, Fadil Toçi, një nga nëntë oficerët e Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët në vitin 1973 u dërguan me një mision tepër sekret në Vietnamin e Jugut, duke u maskuar si punëtorë të Metalurgjikut që shkonin në Kinë për specializim.  E gjithë aventura në xhunglat aziatike e ushtarakëve shqiptarë Moisi Elezi, Fadil Toçi, Filip Meksi, Islam Kapaj, Alo Nanaj,  etj., që pasi u pritën nga Kryeministri Pham Van Dong, për tre muaj me radhë ”mori përvojë” në xhunglat e Vietnamit, duke shkuar dhe në frontin e luftës ku bombat e aviacionit amerikan binin si breshër, si dhe kthimi i tyre për në atdhe në dhjetorin e ’73-it pas një udhëtimi me mjaft probleme dhe incidente si ai në aeroportin e Moskës, ku i mori nën mbrojtje ambasada kineze…

Ka qenë fillim tetori i vitit 1973, kur një avion hungarez i “Malev”-it, njërës nga të paktat shoqëri ajrore që fluturonin asokohe në qiellin shqiptar, ngrihej nga pista e Rinasit ku kishte një grup të madh punëtorësh e inxhinierësh nga Kombinati Metalurgjik i Elbasanit, të cilët shkonin për specializim në Kinën e largët. ”Në mes të atij grupi prej 32 vetash, ishim të maskuar edhe Ne, nëntë ushtarakët e lartë nga Ministria e Mbrojtjes, që shkonim me një mision sekret për në Vietnam, ku ende amerikanët vazhdonin bombardimet”. Njeriu që flet dhe dëshmon ekskluzivisht për Memorie.al. është Fadil Toçi, një ish-ushtarak i lartë i karrierës me disa funksione drejtuese në Ushtrinë Shqiptare, si komandant i Artilerisë Kundërajrore në Ministrinë e Mbrojtjes, komandant Grupimi dhe pedagog në Akademinë Usharake “Mehmet Shehu” me gradën shkencore Doktor i Shkencave Ushtarake, i cili zbulon të fshehtën e atij misioni dhe udhëtimin e largët me itinerar: Rinas-Budapest-Moskë-Irkutsk-Pekin, për të përfunduar në xhunglat aziatike të Vietnamit të Jugut, fare pranë breshërive të bombave amerikane ku ata filimisht i priti kryemnistri, Pham Van Dong.

Urdhri i Beqir Ballukut për misionin sekret

Teksa linte pas qytetin e tij të lindjes, Peshkopinë, për të vazhduar shkollën ushtarake në Tiranë, Fadil Toçit nuk i kishte shkuar kurrë në mend, se një ditë të bukur do të nisej për në kontinentin e largët aziatik ”për marrje përvoje”. Dhe aq më pak, atje në xhunglat e Vietnamit, ballë për ballë amerikanëve, ku provonin aftësitë e tyre kolegët e tij ushtarakë nga Moska, Pekini e Hanoi. ”Që në vitin 1971, kur isha në detyrën e Komandantit të Artilerisë Kundërajrore të Ushtrisë, ma kishin thënë si ide: që unë, së bashku me një grup studentësh nga dega e Artilerisë, duhej të shkonim në Kinë, ku do të merrnim teknikën e nevojshme ushtarake, e më pas për në Vietnam, ku do të fitonim përvojë”, kujton Fadili atë kohë të largët, duke shtuar se edhe sot e kësaj dite nuk i di arsyet e vërteta, sepse ajo u shty për dy-tre vjet më vonë. ”Ndoshta se atëherë ishte kulmi i bombardimeve”, hedh një hipotezë ai, e shton: ”Ku i dihet”, duke i qëndruar përsëri versionit të parë. Nga fundi i shtatorit të vitit 1973, sipas urdhrit të Beqir Ballukut, nëntë ushtarakëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, që përfaqësonin disa nga degët e armët kryesore të Ushtrisë Shqiptare, iu komunikuan detyrat konkrete, në kuadrin e misionit që ata do kryenin në Vietnamin e largët. ”Vajtja jonë në Vietnam ishte e kushtëzuar, për arsyen se atje ishte në përdorim i njëjti arsenal ushtarak, që kishim dhe ne në përdorim në ushtrinë tonë: Ai sovjetik dhe kinez”, shprehet ish-ushtaraku i lartë, Toçi, duke zbardhur një nga të vërtetat, se përse ndërmerrej ai mision. ”Nuk ishim ne të parët që shkonim për marrje përvoje në ushtrinë e Hanoit, aty para nesh kishin shkuar shumë ushtarakë nga vende të ndryshme të botës, ku midis të cilëve kishte sirianë, kubanezë, hungarezë etj., që shihnin në vend gjithçka luhej aty”, kujton Toçi.

Në avion e Malev-it, si ”specialistë të Metalurgjikut”

Më 6 të tetor të vitit 1973, grupi i përbërë nga nëntë ushtarakët e lartë, i kryesuar nga Mojsi Elezi (Komandant Korpusi) dhe Fadil Toçi, Islam Kapaj, (artilier) Alo Nanaj, (inxhinier në ushtri) Filip Meksi, (këmbësor) e katër oficerë të tjerë, mbi bordin e ”Malev”-it udhëtonim për në drejtim të Lindjes së Largët. Të gjithë pjesëtarët e grupit ishin të maskuar e kamufluar si punonjës të Metalurgjikut, që do të specializoheshin në Kinë. ”Unë isha i regjistruar si inxhinier mekanik”, kujton Toçi makinacionin e përdorur që në fillim të misionit të tyre. Në aeroportin e kryeqytetit hungarez, Budapest, ”punonjësit e Metalurgjikut” i mori një avion i madh rus, i cili u nis menjëherë në drejtim të Moskës. Pas një ndalese të shkurtër në mjediset e aeroportit të madh të Moskës, avioni rus, pasi kaloi mbi Siberi, ndaloi në Irkutsk, (afër liqenit Baikal), ku një avion kinez, pasi i sistemoi miqtë e largët nga Shqipëria, u nis menjëherë në drejtim të Pekinit. Dy-tri ditë qëndrimi aty u mjaftoi ushtarakëve shqiptarë për të pushuar e për t’u çlodhur pak nga ai udhëtimi i largët, e gjithashtu për t’u ndarë nga ”kolegët” e tyre të Metalurgjikut, të cilët shkonin në drejtim të Shangait. Pas atij pushimi, udhëtimi i tyre vazhdoi në drejtim të Hanoit, kryeqytetit të Vietnamit të Veriut, ku ishte dhe destinacioni i misionit sekret.

Pritja me nderime të mëdha në Hanoi

”Në Hanoi na pritën me të gjitha nderimet, ushtarakë të lartë vietnamezë. Mua personalisht më priti koloneli i parë, Komandanti i Artilerisë Kundërajrore të Ushtrisë Vietnameze dhe të gjithë pjesëtarët e tjerë të grupit tonë, kolegët e tyre përkatës”, kujton Toçi mbërritjen e tyre në kryeqytetin e një prej vendeve më të varfra të Azisë, që sistemin e tyre komunist donte t’ia injektonte dhe vëllezërve të tyre në Vietnamin e Jugut, që kishte filluar lulëzimin e kapitalizmit nën udhëheqjen e liderit Nguyen Du Për të ndaluar përhapjen e komunizmit në Jug të Vietnamit, gjë e cila stimulohej edhe nga ndihma e ndërhyrja e qeverisë vietnamezo-veriore, që kishte filluar prej Ho Chi Minh, (presidentit komunist, i cili asokohe kishte vdekur dhe mbahej në frigorifer në pritje të ndërtimit të mauzoleumit), qeveria e SHBA-së kishte filluar luftën dhe vazhdonte bombardimet ndaj ushtarëve vietnamezë, të cilët rrinin me opinga për të imituar Presidentin e tyre komunist.

Marrja e përvojës vietnameze

Lidhur me sistemimin e trajtimin që iu bë fillimisht 9 ushtarakëve të lartë shqiptarë në Hanoi, në atë kohë kur amerikanët i kishin pushuar bombardimet në veri, pasi në Paris kishin filluar bisedimet për ndërprerjen e luftës, Fadil Toçi kujton: ”Na sistemuan në një ndërtesë, në afërsi të qendrës së Hanoit, e cila ishte përshtatur vetëm për ne. Në krahasim me kushtet e një varfërie të madhe, ku jetonte i gjithë Vietnami, pritja dhe trajtimi që na bëhej ishte mjaft e mirë. “Ne jemi vërtet të varfër, por sa për ju kemi”, na thoshin shpesh ata. Në ndërtesën ku na kishin vendosur të banonim bënim dhe marrjen e leksioneve, të cilat na i jepnin specialistët përkatës, sipas të gjitha llojeve të armëve. Përveç marrjes së leksioneve e mësimeve teorike në klasa, ne dilnim dhe në poligone, fusha e objekte, ku kishte pasur bombardime nga amerikanët. Që në fillimin e luftës, vietnamezët kishin ngritur një Institut të Shkencave Ushtarake, i cili studionte të gjitha armët e reja që përdoreshin kundra tyre dhe si të mbroheshin nga ato. Kështu ata kishin shpikur një lloj kapele me kashtë e me dru, që nuk shpohej nga predhat dhe plumbat, e ishte më efikase se helmetat prej hekuri. Në Vietnam kishte shumë ushtarakë sovjetikë, por ne nuk kishim kurrë kontakte me ta. Vietnamezët i dinin marrëdhëniet tona me ta dhe i respektonin me rigorozitet ato. Ndonëse nuk pamë asnjë ushtarak kinez në Vietnam, ata e vlerësonin shumë ndihmën e Pekinit zyrtar, me teknikën e re të arsenalit ushtarak, që u ofronte herë pas here, krahas asaj të vjetër sovjetike që merrnin nga Moska. Në leksionet që i fillonim në ora 05:30 të mëngjesit dhe që i mbaronim në ora 17:30 pasdite (pasi bënim tre orë pushim në drekë), ushtarakët e lartë vietnamezë na jepnin në detaje dhe hollësira të gjitha bilancet e luftimeve që kishin bërë me amerikanët. Ditët e diela i kishim pushim dhe shpesh na çonin nëpër vende turistike për të parë bukuritë e tyre, që ishin vërtet të mahnitshme. Gjatë këtyre shëtitjeve dhe sa herë që ne dilnim, kurrë nuk pamë fëmijë që të lypnin, ndonëse varfëria ishte shumë e madhe. Në atë gjendje tejet të mjeruar, ata na trajtonin shumë mirë. Aq sa makina e kryeministrit vietnamez, Pham Van Dong, nuk ndryshonte fare nga ato që na kishin dhënë neve për të lëvizur. Këtë gjë e pamë gjatë pritjes që dha për ne kryeministri vietnamez, i cili sapo ishte kthyer nga një vizitë në Shqipëri. Ai kishte një zyrë fare të thjeshtë dhe na priti shumë mirë. Kryeministri vietnamez jetonte ashtu nën shembullin e Ho Chi Minh, që kishte jetuar në mes të fëmijëve të varfër e jetimë. Shpesh dilnim dhe vetëm nëpër qytet, por vietnamezët na survejonin me nga një ushtarë, që na ndiqte pas në çdo hap. Survejuesi ynë hiqte xhaketën për t’u dukur civil, duke na thënë që ajo bëhej për sigurimin tonë. Në banesën ku ishim vendosur ne, ata kishin vendosur përgjues, duke na regjistruar gjithçka që bisedonim. Këtë gjë e mësuam, kur dikush nga ne u ankua se përse na i kishin ndërprerë bananet dhe rezervat e stilolapsave që na ishin mbaruar. Ndonëse kjo bisedë u zhvillua vetëm ndërmjet nesh, të nesërmen i pamë ato me bollëk në tavolinat tona. Sjellja jonë ishte tejet korrekte, por edhe ndonjë ankesë e vogël që mund të bëhej ndërmjet nesh, menjëherë ajo plotësohej”.

Në jug, afër bombave amerikane

Përveç qëndrimit në Hanoi, grupi i ushtarakëve shqiptarë, që kryesohej nga Mojsi Elezi (ish-shoqërues i Enver Hoxhës gjatë luftës) ndërmori dhe aventurën e rrezikshme, duke shkuar për 17-të  ditë në Vietnamin e Jugut, ku vazhdonin ende bombardimet e amerikanëve. Lidhur me këtë, Toçi kujton: ”Gjatë atyre 17-të ditëve që qëndruam në jug, në çdo hap na shoqëronin oficerë vietnamezo-veriorë. Ne shkuam nëpër disa qytete si: Hai Fong, Dong Ha, Vinu Lin, Kuan Tri, që ata i konsideronin si zona të çliruara. Nga veriu në jug udhëtuam me automjete ushtarake, duke u veshur herë si civilë dhe herë si ushtarakë me uniformat e tyre vietnameze. Gjatë atyre ditëve patëm rastin të shihnim ”Brezin Maknamara”, që kishte marrë këtë emër për nder të Sekretarit Amerikan të Shtetit për Mbrojtjen. Ai brez, që shtrihej në kilometra pa fund, përbëhej prej pemësh tropikale hekuri, që nuk ndryshonin fare nga ato realet, të cilat amerikanët i kishin hedhur me parashuta, duke i ngulur në tokë. Çdo pemë kishte nga një aparat, që i përcillte lokacionit të zbulimit amerikan të gjitha zhurmat e lëvizjet që ndodhnin pranë tyre. Aq të shumta ishin këto pemë prej hekuri, saqë vietnamezët nuk kishin mundësi që t’i shkulnin. Kjo ishte një nga teknikat më të sofistikuara që ekzistonte asokohe. Me gjithë peripecitë e shumta që ndeshëm gjatë udhëtimit në jug, misioni ynë ia arriti qëllimit”, kujton Toçi për aventurën e tij në Vietnamin e Jugut.

Incidenti në Moskë: Na mbrojtën kinezët

Lidhur me përfundimin e misionit sekret në Vietnam dhe aventurën e kthimit të tyre në atdhe, Fadil Toçi kujton: “Pasi u kthyem në Veri, qëndruam dhe pak kohë aty për të marrë më pas rrugën e kthimit. Misionit tonë sekret dhe ”marrjes së përvojës” i kishte ardhur fundi. Ishte fundi i dhjetorit i vitit 1973. Nga Hanoi në Pekin udhëtuam me avion dhe prej aty vazhduam më tej në drejtim të Moskës. Aty fjetëm një natë në hotelin që ndodhej brenda aeroportit, nga ku e kishim të ndaluar të dilnim. Kontrollet ndaj nesh ishin të shumta, sidomos po të kishim me vete ndonjë literaturë, gjë e cila përbënte herezi dhe të nxirrte probleme jo të vogla. Ngaqë nuk kishim vizë tranziti për në Moskë, na mori në mbrojtje dhe na shoqëroi ambasada kineze e akredituar në kryeqytetin rus, e cila pagoi dhe disa para nën dorë, që të mos na pengonin në kthimin tonë drejt Shqipërisë. Pas një pushimi të shkurtër në Moskë, udhëtuam për në Budapest, ku qëndruam disa ditë për të pritur “Malev”-in. Me atë linjë u kthyem për në Tiranë, duke e konsideruar të mbyllur e me sukses misionin tonë”, përfundon rrëfimin e tij, Fadil Toçi, një nga ish-ushtarakët e lartë shqiptarë që morri pjesë në “aventurën aziatike” i cili shton: ”Gjithë ajo përvojë na shkoi kot, pasi me dënimin e Beqir Ballukut dhe të ashtuquajturës kastës së lartë ushtarake, ajo literaturë u quajt revizioniste dhe u dogj ose u hodh në koshin e plehrave”.

“Na pandehu amerikanë dhe tentoi të na godiste me sëpatë”

Aventura tre mujore e nëntë ushtarakëve të lartë shqiptarë të Ministrisë së Mbrojtjes, nuk kaloi e gjitha si në vaj. Lidhur me këtë, Fadil Toçi, një nga krerët drejtues të atij misioni, kujton: “I vetmi incident që na ndodhi gjatë atyre ditëve të qëndrimit tonë në Vietnam, ishte ai me një grua plakë të vjetër, të cilës gjatë bombardimeve, forcat amerikane i kishin vrarë të gjithë pjesëtarët e familjes. Teksa ishim duke kaluar afër shtëpisë së saj në një fushë, ajo u drejtua nga unë, duke tundur në dorë një sëpatë të vogël, apo siç i themi ne, kosore. Unë nuk po kuptoja se çfarë kërkonte dhe duke iu shmangur pak asaj, pyeta përkthyesin, një djalë të ri vietnamez, i cili ishte diplomuar në Universitetin e Tiranës. Ai më shpjegoi se ajo kërkonte të na vriste, pasi kujtonte se ne ishim pilotë amerikanë të zënë rob. Pas kësaj, përkthyesi ynë iu afrua asaj ta sqaronte, duke i thënë: ”Këta janë miqtë tanë”. Pas kësaj ajo u qetësua disi, por sëpatën nuk e ulte nga dora. Vite më vonë, përkthyesin tonë vietnamez e kam takuar në Kongresin VII të PPSH-së në Tiranë, ku unë isha delegat, por ai bëri sikur nuk më njohu dhe m’u largua me takt”.

“Nga uria e madhe, ushtarët vietnamezë hanin elefantë”

Në rrëfimin e tij ekskluziv për Memorie.al, në mes të tjerash, ish-ushtaraku i lartë, Fadil Toçi, dëshmon edhe për gjendjen tejet të mjeruar në të cilën ndodhej ushtria vietnameze. Lidhur me këtë, ai kujton: “Në Vietnamin e Jugut, gjatë atyre ditëve nuk patëm asnjë problem, ndonëse shkuam deri 10 km. afër bombardimeve në Quan Tri, ku nuk shikohej asnjë ndërtesë në këmbë. Aty gjithçka ishte e shkatërruar. Në atë kohë, në Vietnamin e Jugut lufta zhvillohej në qytetin Hue, amerikanët kishin përgatitur një lloj substance kimike, të cilën e hidhnin nëpër xhungla, ku fshiheshin divizionet vietnameze të veriut, që shkonin në ndihmë të jugut. Kjo lloj substance, që hidhej në formën e spërkatjes nga avionët, kishte veti të thante të gjitha llojet e drurëve, duke bërë rënien e gjetheve dhe demaskimin e forcave ushtarake vietnameze, të cilët herë pas here nga uria hanin dhe elefantë, që i vrisnin nëpër xhungla. Në jug na treguan një zonë të tillë, që dukej sikur i kishte rënë zjarri”./Memorie.al