Sport Të mëdhenj ndaj të mëdhenjve, të vegjël ndaj të vegjëlve/ Solskjaer çon...

Të mëdhenj ndaj të mëdhenjve, të vegjël ndaj të vegjëlve/ Solskjaer çon lojtarët te psikologu

Mançester Junajtid është i madh ndaj të mëdhenjve dhe i vogël ndaj të vegjëlve. Kur bëhet fjalë për kundërshtarë me emër, skuadra e trajnerit Solskjaer jep më të mirën dhe bën ndeshje të mëdha edhe në rastet kur humb, siç ishte ajo e fundit ndaj Liverpulit. “Djajtë” në të tilla ndeshje tregojnë se nuk janë aspak inferiorë ndaj skuadrave që qëndrojnë më lart në klasifikim.

Problemi i Mançester Junajtid janë ndeshjet me skuadrat e ashtuquajtura “të vogla”, ku ndonjëherë paraqitja është e turpshme. Për këtë arsye, trajneri Ole Gunar Solskjaer e ka kërkuar zgjidhjen te psikologu, siç bën me dije “The Sun”. Norvegjezi kërkon ndihmën e tij për të larguar “sindromën e të voglave” nga lojtarët dhe për t’i zhbllokuar ata. Pesë nga shtatë humbjet në kampionat, “Djajtë” i kanë ndaj skuadrave që qëndrojnë në gjysmën e poshtme të renditjes, siç janë Uatfordi, Burnemuthi, Uest Hemi, Njukasëlli dhe Kristal Pallasi. Po të shtojmë edhe barazimin me Aston Vilës, që qëndron në zonën e rënies, është e qartë se lojtarët e Junajtid kanë probleme psikologjike. Mançester Junajtid ka mundur Çelsin, Leiçesterin dhe Sitin në “Etihad”, si dhe është i vetmi ekip që i ka marrë pikë Liverpulit.

Në këtë situatë, është më mirë t’i besosh një profesionisti dhe Solskjaer, sipas tabloidit anglez, i ka kërkuar klubit të gjejë psikologët më të mirë për sportin, në mënyrë që t’i bindin lojtarët e tij të përballojnë njësoj edhe ekipet “e vogla”. Prova e parë është ndeshja e radhës me Bërnlein që drejtohet nga Sean Dyche, një ekspert i vërtetë kur bëhet fjalë për të vënë në vështirësi skuadrat e mëdha.