Kryesore “Të ndahemi nga Shqipëria”, reagon Rama: Qasje e çuditshme e Shkupit

“Të ndahemi nga Shqipëria”, reagon Rama: Qasje e çuditshme e Shkupit

Ndarje nga Shqipëria në vendimin për negociatat. Kjo ishte kërkesa e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në Bruksel, pasi sipas tij, Shqipëria po pengon rrugëtimin e Shkupit.

Por, kjo kërkesë, ka zemëruar kryeministrin shqiptar, Edi Rama, që në një postim në Twitter shprehet se kjo kërkesë e Pendarovskit është e çuditshme veçanërisht duke patur parasysh sa e kanë ndihmuar atë shqiptarët.

“Presidenti Pendarovski nënkupton favorizimin e ndarjes nga Shqipëria në vendimin për negociatat? Çudi kjo qasje, sidomos kur konsideron kontributin kyç të Shqipërisë dhe shqiptarëve në zhvillimet demokratike dhe rrugën europiane të shtetit mik. S’duket as e drejtë as praktike faktikisht!” shkruan Rama në Twitter.

Në një intervistë për Euractiv, Pendarovski tha se shkëputja e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria duke i dhënë dritën jeshile të parës dhe duke mbajtur pezull fillimin e bisedimeve për të dytën, nuk është zgjidhja më e mirë por është e vetmja mënyrë për të ecur përpara.

Sipas Pendarovskit Shqipëria tani është një vend i trazuar. “Ne kemi patur rekomandime pozitive nga komisioni dhe më herët dhe kemi qenë të ndarë po ashtu”, tha ai.