Ekonomi Të pasurit që u pasuruan nga pandemia/ Zuckerberg hyn në listën e...

Të pasurit që u pasuruan nga pandemia/ Zuckerberg hyn në listën e titanëve me mbi 100 miliardë

Vlera neto e themeluesit të Facebook, Mark Zuckerberg, i tejkaloi 100 miliardë dollarë për herë të parë të enjten, pasi aksionet e kompanisë së tij të mediave sociale arritën një rekord të ri për shkak të optimizmit për lirimin e konkurrencës së TikTok Reels.

Zuckerberg, 36 vjeç, u bë i treti që futet në listën e shkurtër të atyre që kanë pasuri qindramiliardëshe. Kështu, ai renditet pas titanëve të teknologjisë, Jeff Bezos dhe Bill Gates. Ata janë të vetmit njerëz në botë që e mbajnë statusin e super të pasurve që i kanë kaluar 100 miliardë dollarë, sipas Indeksit të Miliarderëve nga Bloomberg.

Titanët e teknologjisë amerikane i kanë shumëfishuar pasuritë e tyre gjatë këtij viti. Ata po pasurohen edhe më shpejt pasi pandemia i ka çuar drejt zhvillimit në internet shumë prej aktiviteteve që më parë kryheshin në zyra.

Pasuria në total e miliarderëve të teknologjisë në indeksin e Bloomberg (një renditje e 500 njerëzve më të pasur në botë) është gati dyfishuar që nga viti 2016, duke kaluar nga 751 miliardë dollarë në 1.4 trilion dollarë sot. Kjo është një normë më e shpejtë se rritja në çdo sektor tjetër.

Shtatë nga 10 njerëzit më të pasur në botë vijnë nga sektori i teknologjisë, me një vlerë neto në total prej 666 miliardë dollarë, duke arritur 147 miliardë dollarë këtë vit.

Pesë kompanitë më të mëdha amerikane të teknologjisë (Apple, Amazon, Alphabet, Facebook dhe Microsoft) kanë vlerë në treg sa rreth 30 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto të SHBA-vë. Kjo është pothuajse dyfishi i asaj që ishte në fund të vitit 2018.

Ndërkohë, senatori amerikan Bernie Sanders planifikon të propozojë një ligj që takson atë që ai e quan “fitim i pahijshëm i pasurisë” gjatë krizës së koronavirusit. Ligji “Bëni miliarderët të paguajnë ” do të taksojë 60 për qind të rritjes së vlerës neto të oligarkëve nga 18 marsi deri në fund të vitit dhe do t’i përdorë të ardhurat që gjenerohen për të mbuluar shpenzimet e kujdesit shëndetësor për të gjithë amerikanët.

Zuckerberg, i cili themeloi gjigantin e mediave sociale në konviktin e Universitetit të Harvardit në 2004, ka thënë se ai planifikon të heqë dorë nga 99 për qind të aksioneve të tij në Facebook gjatë jetës së tij.