Kulturë Të rinjtë që rinojnë Kaninën!

Të rinjtë që rinojnë Kaninën!

Nga Klaudio Nuredini

Në muret e kalasë, ku historia të krijohet para syve

Projekti “Të rinojmë Shqipërinë” hedh gjurmën e radhës mes hijeshisë bregdetare: në Kaninën mesjetare, që ende flet me histori, me art dhe vazhdon të mbetet vendi ku tradita mbrohet me fanatizëm, për tu trashëguar në brezat e rinj me tërë delikatesën dhe nikoqirllëkun për të cilin shquhet zona.

Në tokën e mbrujtur me bukuri natyrore, aty ku bekimi hyjnor ndihet përtej qetësisë therëse të fshatit, gjurmët e para dëshmojnë hershmërinë e popullimit të zonës qysh prej gjysmës së parë të mijëvjeçarit të fundit p.e.s.

Rrënjët lashtësore dëshmojnë se në shek.IV p.e.s. Kanina u shndërrua në qytet të fortifikuar me mure, ku në bredinë e kështjellës pluhuri i historisë ka arritur të identifikojë rrënoja banesash, rrugë të kalldrëmta etj. 6 km larg nga qyteti i Vlorës, shtrihet mbi një kodër kalaja me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit, dhe me murin rrethues 1 km, duke pasur një sipërfaqe prej 3.5 hektarësh.

Kanina, e cila sot njihet si “ballkoni i Vlorës” nisi të identifikohej me kështjellën; për të vazhduar me jetën si qyteti mesjetar që u rindërtua disa herë në periudha të ndryshme kohore. Por çdo herë teksa frymonte nga e para, dinte të dhuronte sërish mrekullinë e pamjes që krenarishëm mban në pëllëmbë qytetin. Pa luftra me sy dhe përjetoi gjithë ashpërsinë e kohës, por kurrë nuk ja përkuli egërsia e betejave imazhin që ende sot reflekton. Në këtë tokë ku dhe dielli perëndon me vonesë për të falur sa më shumë rreze drite, ndihet porsa ngjitesh pastërtia dhe jeshillëku.

Udhëtimi nis nëpër rrugët e gjarpërinjta që dredhojnë në ndërthurjen e blusë së detit dhe të gjelbrës së pemëve majë kodrës. Kur arrin në territorin e kështjellës të shfaqet para syve një livadh i gjelbëruar, me pemë që duket se natyra i ka vendosur në mënyrë dekorative për të tërhequr vizitorët; dhe në pikën më të lartë valëvitet flamuri ynë kombëtar. Se Kanina ruan krenarinë e faktit se familja fisnike Vloraj, e quante “shtëpinë e vjetër” Kaninën.

Përreth kështjellës mund të shohësh në një perspektivë të gjerë pothuajse krejt Vlorën, detin, fshatrat dhe gjithë pamjen piktoreske dhe mitike që qyteti me “gjoksin me gropë” ka arsyen të krekoset. Një çoban I ri në moshë, i cili ndodhej aty për të kullotur bagëtinë, tregon se aty vijnë përditë vizitorë të ndryshëm: “Këtë tokë e ka bekuar perëndia, se ka përditë të rinj që vijnë në grupe për ekskursione dhe i japin gjallëri vendit. Unë me këto bagëti mbaj veten dhe motrat e vëllezërit”, thotë Tili, teksa ka fituar aftësinë që të komunikojë me to për t’i bindur të vihen në rradhë.

Shumë veta e kanë braktisur Kaninën në kërkim të një jete më të mirë; por dhe shumë të tjerë janë kthyer atje, duke e parë si burim investimi dhe si një potencial i madh turizmi. Tili është pjesë e atyre të rinjve që jeta nuk I ka dhënë luksin të mos e vrasë mendjen për asgjë, por e ka mësuar të nxjerrë bukën e gojës me djersën e ballit. Këta janë të rinjtë që krenojnë Shqipërinë!

Ne jemi në kërkim të tyre; të të rinjve që nuk vrasin, nuk vjedhin, nuk rrinë nëpër kafene për të shtyrë orët, nuk i kërkojnë prindërve një pesçe për kafe dhe nuk kapardisen rrugëve me duar në xhepa. Rinia që ne duam të sjellim në vëmendje janë ata që shohin me sytë e të ardhmes, që krijojnë, diturohen, janë vizionar dhe të talentuar.

Në bukuritë e fshatrave tona turistike, që janë pjesë e projektit “100 fshatrat”, kërkojmë dhe u vëmë syrin të rinjve që investojnë në zonë dhe sjellin dobi për komunitetin ku jetojnë.

Në Kaninë gjetëm Gentin, që me sjelljen tipike vlonjate, dinte të tërhiqte klientelën në biznesin e tij, prej nga ku mund të shquaje gjithë qytetin e bukur bregdetar.

“Shpella e fikut është kthyer në destinacionin kryesor kur vjen në Kaninë; dhe ti mund ta shohësh sa plot është mbushur sot. Sepse unë besoj që njerëzit vijnë mbi të gjitha për të gjetur mikpritjen dhe bujarinë e të zotit të shtëpisë, jo thjesht sepse duan të konsumojnë diçka. Prandaj fjala “o vlla” është e para që unë them”, shprehet ai, duke theksuar se ka arritur të krijojë punësim mes të rinjve të zonës, e do vazhdojë të kontribuojë edhe përmes disa hoteleve që ka nisur të krijojë përreth.

Në fshatin e vogël që duket sikur shtrihet në zemrën e Vlorës, qetësinë e mbrëmjeve verore e thyen tingujt që vijnë nga muzika që gjëmon në sfond.

Jo më kot në Kaninë kurorëzoi martesën e tij emblema e identitetit shqiptar, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Në dasmën për të cilën thuhet se Skënderbeu erdhi me 500 kalorës; e që përmban fakte historike, gojëdhëna, vargje popullore mund të flasin muret e lashta dhe këngët e mbetura në folklorin tonë:

“Atë natë kalaja ndriti,

Kënga dhe vallja buçiti

Çelën llamba, ndezën pisha

Plot tryeza me të gjitha”

Ndërsa Sami Frashëri në shkrimet e tij e përshkruan Kaninën, si:

“Një fshat i madh në Shqipëri, mbi një kodrinë përballë detit, në prefekturën e Vlorës. Ka 4.500 banorë dhe klimë shumë të mirë. Është vendlindja e bejlerëve të Vlorës.”