Shëndet Të sëmurët nga COVID-19 mund të shpëtojnë jetë njerëzore

Të sëmurët nga COVID-19 mund të shpëtojnë jetë njerëzore

Të paktën 1 mijë e 500 persona do të marrin pjesë në një projekt të organizuar nga disa shkencëtarë holandezë për të luftuar koronavirusin.

Mësohet se ata persona do të dhurojnë gjak me qëllimin për të ndihmuar në zbulimin e një kure kundër virusit Covid-19.

Një nga pjesëtarët e këtij projekti, Merlijn van Hasselt, tha se të shëruarit prej Covid-19, kanë në gjakun e tyre antitrupa që prodhohen nga sistemi i tyre imunitar, të cilat ndihmojnë në luftën kundër virusit.

“Qëllimi i projektit është që të prodhojë një globulinë hiper-imune, të pakrijuar më parë, për të infektuarit që janë më tepër në rrezik, thotë Van Hasselt, përfaqësues i kompanisë “Sanquin”.

Ai tregon se ky trajtim mund të realizohet vetëm nga dhurimi i gjakut të atyre personave që janë shëruar nga infektimi me Covid-19.

“Aktualisht jemi në fazën klinike të testimit dhe shpresojmë që shumë shpejt të hyjmë në fazën e prodhimit në masë. Dhurimi i gjakut nga të shëruarit është thelbësor”, vijon Van Hasselt.

Kompania holandeze, së bashku me Takeda, një kompani farmaceutike me origjinë nga Japonia, “CSL Behring” nga Shtetet e Bashkuara, Biotest AG në Gjermani, britanikët e BPL Group, por edhe kompani franceze dhe zvicerane, janë pjesë e një projekti.

Puna e tyre konsiston në grumbullimin e gjakut nga mijëra dhurues në mbarë botën, për ta përpunuar në një trajtim që shërben posaçërisht kundër Koronavirusit, në mënyrë të tillë që të aprovohet nga institucionet dhe organizatat e tjera mjekësore.

“Anëtarët e këtij projekti synojnë që brenda një kohe të shkurtër të realizojnë një kurë të përbërë nga plazma e gjakut për të luftuar virusin Covid-19. Qëllimi i këtij projekti është që të sigurohen të gjitha burimet e nevojshme, në mënyrë që kjo kurë të jetë e disponueshme sa më shpejtë që të jetë e mundur. Jemi në atë pjesë të projektit ku prodhimi klinik ka nisur dhe nëse testimet që do kryhen dalin pozitive, si dhe terapia aprovohet nga institucionet e shëndetit, atëherë kjo kurë do të ishte një prej alternativave më të shpejta për kurimin e pacientëve të infektuar me virusin Covid-19”, tha zëdhënësi i “Sanquin”.

Përpara këtij projekti, janë realizuar studime të shumta nga kompania “Sanquin” dhe janë testuar për antitrupa mijëra mostra gjaku të dhuruar, për të parë sa është përhapur virusi i ri korona në Vendet e Ulëta.

“Në momentin kur pandemia filloi në Holandë, qeveria bëri thirrje për grumbullim informacioni, për mënyrën se si ky virus po përhapej në një pjesë të konsiderueshme të popullsisë. Sanquin, si kompani u ofrua për ndihmë, sepse ka një numër të madh donatorësh holandezë nga banka e gjakut. Ata ofruan mundësinë që gjaku i dhuruesve të testohej për praninë e antitrupave, për të kuptuar nëse kishin zhvilluar imunitet ndaj virusit”, tha Van Hasselt.

Kujtojmë se përdorimi i plazmës së gjakut të pacientëve të shëruar nga një sëmundje e caktuar, ka ndodhur të jetë e dobishme për shumë pacientë të tjerë.