Kryesore Qëllohet një makinë në Laprakë, vritet 17-vjeçarja, plagoset i riu (EMRAT)

Qëllohet një makinë në Laprakë, vritet 17-vjeçarja, plagoset i riu (EMRAT)

Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e kësaj të mërkure kryeqytetin. Një adoleshente ka gjetur vdekjen, ndërsa një tjetër i ri ka mbetur i plagosur rëndë, pasi u qëlluan me armë zjarri.

Burime zyrtare të Policisë së Tiranës sqarojnë se ngjarja e rëndë ka ndodhur në Laprakë, rreth orës 18:17 minuta.

Viktima është Griselda Gjikola, vetëm 17 vjeç, ndërsa i plagosur ka mbetur 23-vjeçari Erjon Denga. Dy të rinjtë mësohet se ndodheshin në makinë, kur u qëlluan me armë nga persona ende të paidentifikuar.

Gjikola dhe Denga mbetën fillimisht të plagosur. Ata u dërguan me urgjencë në spital, por e reja nuk mundi t’i mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë. Ndërkohë, 23-vjeçari mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Nuk dihen ende rrethanat e plota apo motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë. Autoritetet policore thonë se po punohet për të identifikuar dhe kapur autorin/ët, si dhe zbardhjen e plotë të saj.