Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e mbrëmshme në kryeqytet, ku u regjistruan të shtëna me armë zjarri pranë Liqenit Artificial.
E gjithë ngjarja ka nisur brenda një lokali, për një konflikt të çastit.
Fillimisht në ambientet e lokalit kanë hyrë 5 persona, për të pasuar më pas nga 3 të tjerë më vonë. Shkaku i sherrit ka qenë se një prej tyre nuk ka pranuar t’i japë dorën e t’i flasë një personi. Pas kësaj, ka nisur debat i rëndë me fjalë banale, e më pas ka përfunduar me përleshje fizike, duke përdorur e sende të forta.
Ka qenë 51-vjeçari, shtetasi A.Sh., i cili ka dalë jashtë lokalit, ka marrë pistoletën nga automjeti i tij dhe me qytën e armës ka goditur 40-vjeçarin K.S. Pas kësaj dyshohet se ka qenë momenti kur është qëlluar në ajër me armë zjarri, duke mos shkaktuar fatmirësisht të plagosur. Pas të shtënës, të gjithë janë larguar nga vendngjarja me makinat e tyre.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, uniformat blu kanë arritur të identifikojnë personat e përfshirë në konflikt. Uniformat blu kanë arrestuar 8 persona të përfshirë në ngjarje, të akuzuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Sakaq, 51-vjeçari i cili qëlloi me armë zjarri në ajër është shpallur në kërkim. Arma e përdorur është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Zbardhet dinamika e konfliktit të mbrëmshëm, ndërmjet disa shtetasve, në rrugën “Sami Frashëri”.
Policia identifikoi shtetasin që goditi me qytën e një arme zjarri, një 40-vjeçar, gjatë një konflikti në një lokal, për motive të dobëta, dhe po punon intensivisht për kapjen e tij.
Nga hetimet dyshohet se 51-vjeçari qëlloi një herë, me armë zjarri, në vendngjarje, por nga e shtëna nuk pati shtetas të dëmtuar.
Në pranga 8 shtetasit e përfshirë në konflikt, mes tyre, 40-vjeçari që u dëmtua lehtë.
Gjendet në vendngjarje arma e zjarrit pistoletë, dhe sekuestrohet bashkë me celularët e të arrestuarve dhe me prova të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Menjëherë pas njoftimit, për një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në një lokal në rrugën “Sami Frashëri”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim identifikimin dhe kapjen e përgjegjësve.
Si rezultat i veprimeve profesionale dhe të shpejta hetimore u zbardh dinamika e rastit, si dhe:
-u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi A. Sh., 51 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se gjatë konfliktit për motive të dobëta, ka goditur me qytën e një arme zjarri, shtetasin K. S.(P.), 40 vjeç, i cili u dëmtua lehtë. Gjithashtu, rezultoi se 51-vjeçari qëlloi një herë, me këtë armë zjarri, në vendngjarje, por nga e shtëna nuk u dëmtua asnjë shtetas. Vijon intensivisht puna për kapjen e këtij shtetasi;
-u identifikuan dhe u arrestuan 8 shtetasit e përfshirë në konflikt: K. S. (P.), 40 vjeç, E. A., 43 vjeç, E. R., 39 vjeç, B. T., 24 vjeç, E. T., 35 vjeç, D. T., 30 vjeç, E. S., 47 vjeç dhe K. S., 53 vjeç, të akuzuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.