Dy ditë pas grumbullimit të mbështetësve të kryebashkiakut Erjon Veliaj para SPAK-ut teksa pritej masa e sigurisë ndaj tij, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, Berisha i bëri thirrje kreut të qeverisë që të mos guxojë të protestojë më para SPAK, pasi në të kundërt do të kundërpërgjigjet me protesta përfundimtare për të.
“Unë i jap ultimatum Edi Ramës, mos guxo të organizosh protestë tjetër se opozita do të përgjigjet me një kundërprotestë që ti nuk mund ta imagjinosh. Mos guxo, mbaje mend këtë. Po thirrje protestë, do thirret protesta përfundimtare për ty. Po shkojmë drejt zgjedhjeve, ki kurajën të përballesh me votën e shqiptarëve, por sulmi që bëre, tejkalove El Çapon, Toto Rinën dhe çdo kriminel në pushtet dhe jashtë pushteti që ka ekzistuar gjer sot”.
Berisha e cilësoi të turpshme organizimin e protestës para institucioneve të drejtësisë dhe tha se me këtë akt, Rama u dëshmoi shqiptarëve se do një drejtësi të nënshtruar në këmbët e tij.
“Mos harroni se Edi Rama dhe Erion Veliaj që organizuan në mënyrën më të turpshme, më kriminale, më të padenjë rrethimin e institucioneve të drejtësisë dhe sulmin fizik ndaj prokurorëve dhe gjykatësve, mbajtjen peng në ndërtesë për orë të tëra duke mos i lënë për të dalë, kanë kryer gjer në këtë akt, me dhjetëra akte të tjera, për të cilat edhe mund të jenë mbështetur dhe duartrokitur. Me këtë akt, Edi Rama dhe banda e tij, organizata e tij kriminale që kryeson, u dëshmuan shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se ata pranojnë një drejtësi që shtrihet tek këmbët e tyre, që u nënshtrohet atyre”.
Ai e quajti grumbullimin në mbështetje të Veliajt si “sulm kriminal nga narkoshteti ndaj institucioneve të drejtësisë”.
“Qytetarët shqiptarë dhe komuniteti ndërkombëtar ishin dëshmitarë të akteve më të shëmtuara në historinë e narkoshtetit sulmit kriminal ndaj institucioneve të drejtësisë nga institucione të tjera të narkoshtetit. Dje ishte puntata më kulmore e Narkosit në Shqipëri. Protestë e organizuar, e lajmëruar nga Edi Rama dhe qeveria e tij, nga rrogëtarë të shtetit dhe policë me dhe pa armë, rrethuan për orë të tëra gjykatën speciale dhe prokurorinë speciale. Mbajtën të ndryrë në gjykatë, gjykatës dhe punonjës të administratës së gjykatës, sulmuan si banditë makinat e tyre. U sollën sikur ato të ishin institucione të pushtuesit. Një sulm i tillë dëshmon jo vetëm dështimin e plotë dhe total, por shkallën e jashtëzakonshme të kriminalizimit të drejtuesve të narkoshtetit shqiptar. Të dërgosh mijëra policë dhe rrogëtarë shteti për të rrethuar një institucion të zbatimit të ligjit, të kërcënosh me jetë gjykatësit, i nxitur direkt nga Edi Rama, është një apel për çdo shqiptar. Dëshmon se je i gatshëm të përdorësh çdo mjet antidemokratik, të përdorësh dhunën sa herë që zbatimi i ligjit nuk të intereson”.
PD do çojë për ndjekje penale ministrin Hoxha, kreun e Policisë së Shtetit dhe kryeministrin
Më tej, njoftoi se PD do të dërgojë për ndjekje penale ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha, drejtorin e Policisë së Shtetit Ilir Proda dhe kreun e qeverisë. Kryedemokrati tha gjatë konferencës për mediat se “policia nuk ndërmori asnjë veprim teksa rrogtarë të bashkisë godisnin makinat e gjykatësve”. “Akt i paprecedentë, i pashembullt!”, tha ai.
“Po vazhdove, popullin do e kesh në Surrel!”, i përsëriti kryeministrit Rama.
Lidhur me protestën në fjalë kanë nisur veprime hetimore, ndërsa GJKKO e ka cilësuar sjelljen e Policisë së Shtetit si ”të papranueshme dhe në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore”.