Aktualitet Telashe për Ervin Matën, Prokuroria apelon vendimin e Gjykatës

Telashe për Ervin Matën, Prokuroria apelon vendimin e Gjykatës

Pasi u vëtëdorëzua në polici, Gjykata e Tiranës vendosi ta lërë të lirë biznesmenin Ervin Mata i përfshirë në vrasjen në ish-Bllok më 4 tetor, por Prokuroria nuk pajtohet me këtë vendim.

Organi i akuzës ka apeluar sot vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë nga “detyrim paraqitje në “arrest me burg”.

Vrasja që tronditi mbarë opinionin publik ndodhi mbrëmjen e 4 tetorit në lokalin Metropol në një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës, përkatësisht në Bllok. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë Fabiol Gaxha, ndërsa u plagos Ervis Martinaj së bashku me Elion Haton.

Për ngjarjen vijon të qëndrojë në burg biznesmeni tjetër Ervis Martinaj, i cili nga ekzaminimi i telefonit celular rezultoi se kishte organizuar njerëz të armatosur për përleshjen në bllok ndërsa Geldo Hoti, Ajaks Boshnjaku, Redi Popesku, Fabiol Alushi u lanë të lirë pas arrestimit. I lirë u la edhe Eljo Hato, i plagosur bashkë me Martinajn.

Siç është bërë e ditur, Gaxha u qëllua për vdekje nga komandoja Meviol Bilo si pasojë e një përplasje me armë mes grupit të Ervis Martinajt dhe atij të Ervin Matës. Pak para se të ndodhte krimi, jashtë lokalit ka qënë edhe e fejuara e Matës, këngëtarja Elvana Gjata, por pas hetimeve policia tha se ajo s’kishte lidhje me ngjarjen.