Opinione “Telefonata ime me Bashën për Berishën”

“Telefonata ime me Bashën për Berishën”

Nga Mustafa Nano

Përpara disa kohësh, pas një shkrimi timit kritik ndaj kryeministrit Edi Rama, më bëri një telefonatë kreu i PD-së Lulzim Basha. Ishte një telefonatë që nuk e prisja. Kisha rreth 10 vjet pa ia dëgjuar zërin në telefon. Dhe nuk kanë qenë 10 vjet dosido. Përkundrazi, kanë qenë 10 vjet të mbushura me ngjarje të mëdha, të rënda, për të cilat një politikan ka plot arsye për të biseduar me një gazetar që për të gjitha këto ngjarje ka patur qëndrimet e veta. Telefonata e fundit para kësaj ka qenë, me sa mbaj mend unë, pas një shkrimi, ku rrëfeja një ngjarje me një polic pranë Muriqanit, i cili më ndaloi pa asnjë arsye teksa kthehesha natën nga Mali i Zi, më kërkoi dokumentet, u hodhi një sy atyre, m’i afroi kryet te fytyra për të verifikuar nëse ajo puqej me emrin që ai shihte në pasaportë, e më tha: Kur del fytyra jote në TV unë e ndryshoj kanalin. Kjo m’u duk një ngjarje e rëndë, dhe me t’u kthyer në Tiranë, të nesërmen u ula, e hodha në letër atë ndodhi dhe e publikova në gazetën “Shqip”. Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm atëmot. Nuk u kujtua të më bënte një telefonatë që të tregonte se ishte i shqetësuar që kishte ende policë të tillë bashibozukë. Biseda telefonike për të cilën po flas ndodhi pak më pas, dhe në atë rast ra fjala edhe për shkrimin tim mbi atë policin barkderr, që ngatërronte pa të keq shijet e simpatitë e veta për fytyrat me funksionin e vet zyrtar. Më la të kuptoja se nuk kishte se ç’të bënte, e se këto punë kështu janë.

Po kthehem te telefonata e fundit tani. “Është koha të reagojmë përballë kësaj bande; duhet të takohemi; duhet të bëhemi bashkë”, më tha. Dhe fliste nga pozitat e një njeriu të shqetësuar për fatet e vendit, e një njeriu që në kokë ka vetëm ideale e që nuk është gati të bëjë asnjë kompromis mbi kurrizin e këtyre idealeve. Ishte pak a shumë ky Bashë që njerëzit shohin në TV, madje edhe në këto ditët e protestës, që është një nga protestat më të gabuara e më budallaqe që është bërë ndonjëherë në Shqipërinë postkomuniste. I ngjan mentorit të vet në këtë pikë. Sa më shumë e trashin zullumin, aq më shumë shiten si idealistë. Gjë më bezdisëse nuk mund të ketë.

Por sidoqoftë, unë Bashën nuk e dalloj për keq nga të tjerë si ai, me të cilët hahet për të marrë pushtetin. Përkundrazi, edhe pse nuk jam hiç dakord me ata që po përpiqen ta shesin si kryetar të PD-së, në një kohë që veç kryetar nuk është (do kthehem pak më poshtë te ky argument), pak gjëra kam për të thënë kundër tij. Në një farë kuptimi, më duket më gentleman se shumë të tjerë, të them të drejtën. Mirëpo, paradoksalisht nuk ka arsye për t’u mburrur për këtë gjë. Basha është gentleman nga pafuqia, e jo nga virtyti. Ai është gentleman jo për shkak të një personaliteti të hijshëm, por për shkak të mungesës së personalitetit. Dhe pikërisht këtu qëndron problemi i tij. Të gjithë eksponentët e tjerë të politikës shqiptare që kemi njohur deri më sot kanë demonstruar të kenë një personalitet të fortë, shpeshherë edhe të ekzagjeruar, gjë që iu ka bërë të mundur të arrijnë çfarë kanë arritur. Basha është i vetmi që nuk e ka këtë gjë, i vetmi që çdo sukses e arritje i ka ardhur në tepsi, pa asnjë meritë, pa asnjë lodhje, thjesht duke i fituar zemrën mentorit të tij. E fati – për të gjithë ata që bien dakord se jeta e Bashës është e mbushur me arritje – i ka dhënë një dorë të madhe. I mësuar aq keq me këtë, i ka mbushur mendjen vetes se “kjo jetë e suksesshme e tij” është një gjë e parathënë, me të cilën duhet të pajtohen të gjithë. Dhe kështu, është duke kërkuar fare pa të keq që të largohet nga pushteti ai që ka ardhur me votë e në vend të tij të vijë ai, ja ashtu, në tryezë, ose me anë të një proteste, d.m.th. pa zgjedhje, ose me zgjedhje që e kanë paracaktuar atë si fitues. I ka ndodhur aq shpesh që të arrijë të pamendueshmen, sa i duket çudi se si mund të mos arrijë një gjë që ka filluar ta mendojë.

I thashë Bashës, megjithatë, në atë telefonatë, se unë jam kaq shumë i zhgënjyer nga sundimtarët e rinj të Shqipërisë sa jam gati të bëj sikur nuk di e nuk shoh, jam gati të bëj sikur nuk shoh që në PD ligjin e bëjnë ende ata, për të cilët PD-ja u ndëshkua, jam gati të shtirem sikur e kam harruar që më 21 janar ju keni qenë ministër i Brendshëm (ju kujtohet, i dashur Basha ajo ditë? Është dita kur njerëzit u sulën me çadra-pistoletë e stilolapsa me helm, dhe ca prej tyre gjetën vdekjen në bulevard), jam gati të harroj atë farsën, pas së cilës ju u bëtë kryetar Bashkie (nuk mendoni, i dashur Basha që atë mandat duhej ta kishit refuzuar?), jam gati të harroj që në krye të bashkisë veç vegjetuat (kurrë nuk është parë një i dytë që të vegjetojë, ashtu si ju, në krye të një institucioni shqiptar gjatë dy dekadave e gjysmë; Erion Veliaj po u duket tiranasve si një superman, edhe pse e krahasojnë me ju e me dembelhane të tjera shqiptare), jam gati të harroj që bashkëpunëtorë tuajt, kremi i kremit të PD-së, janë Flamur Noka, Ed Paloka, Genti Strazimiri, Kreshnik Spahiu, Arben Ristani, Aldo Bumçi etj., jam gati të harroj edhe plot gjëra të tjera, e për këtë arsye ta bashkoj zërin tim me tuajin. Por kam vetëm një kusht, një palo kusht e që, po të ma plotësoni, qari do të jetë i juaji më së pari, e pastaj i imi apo i të tjerëve: ‘Deberishizojeni partinë, shkëputuni nga Sali Berisha. Nuk po ju them që të dilni në TV e të thoni për Berishën ato që them unë, nuk po ju them që t’i shpallni luftë atij, jo, jo, nuk jam aq koqe që t’ju kërkoj gjëra të tilla, e di që kjo është e pamundur, në mos një Zot e di se ç’mund t’ju ndodhë, po ju them thjesht që t’i thoni se misioni i tij ka mbaruar (misionzeza!) e t’ia bëni me dije se kryetari i PD-së jeni ju. Ju duhet të mundni Berishën. Pa bërë këtë, nuk do të mundni dot askënd tjetër. Përgjigja e Bashës ishte: “Jo, lidhur me Berishën kemi mendime të kundërta”. U kapa në befasi nga nguti e vendosmëria për të marrë në mbrojtje mentorin e tij edhe në një bisedë telefonike të shpenguar. “Kushedi si e ka hallin ky djalë”, mendova. Ndërsa atij i thashë: “Më vjen keq, atëherë! Ju falënderoj për telefonatën e ju uroj suksese”.

Qysh prej atij momenti kanë kaluar nja tre muaj. Kanë ndryshuar shumë gjëra, me përjashtim të njërës: kryetar i PD-së vijon të mbetet Sali Berisha. Askush nuk merret me Lulzim Bashën. Askush nuk e ka në konsideratë. Askush nuk e merr seriozisht. Duke përjashtuar nja dy-tre vetë që këmbëngulin ta shpikin “leader-in Basha”, të gjithë të tjerët merren me leader-in e vërtetë, me Berishën. Dhe Basha nuk shqetësohet për këtë gjë. Ai duket se ka vetëm një qëllim: të sillet në një mënyrë që Berisha të mbetet i kënaqur, të bëjë gjërat që Berisha do që të bëhen, e të bëjë lojërat që Berishës i interesojnë. Një nga këto lojëra është edhe bllokimi i Vettingut (duke mos qenë PD-ja në parlament, Vettingu bllokohet). Dhe ky është qëllimi i protestës që po bëhet. Nëse Basha do kish për qëllim betejën kundër blerjes së votave me paratë e kanabisit në zgjedhjet e ardhshme, do ishte mjaft të kërkonte që Kuvendi të miratonte sanksione të forta kundër atyre që kapen a filmohen duke u dhënë pará votuesve, siç mund të ishte dënimi automatik me burg, qofshin ata edhe deputetë, apo heqja një herë e mirë e së drejtës për të konkurruar në të ardhshmen për funksione zyrtare të çfarëdo niveli. Kjo mund të ishte një ide. Por mund të ketë edhe ide të tjera. Mirëpo, Basha nuk ka dalë në protestë për zgjedhje të lira e të ndershme. As që i interesojnë ato. E ka treguar që nuk i interesojnë ato. Sikur ne të bënim një manual për zgjedhjet e vjedhura e të manipuluara në Shqipëri, për ilustrim të kësaj dukurie në këtë manual nuk do gjenim një gjë më të përshtatshme se sa zgjedhja e Lulzim Bashës në krye të Bashkisë së Tiranës. Ishte vjedhja më brutale që mund t’i jetë bërë ndonjëherë votës së qytetarëve. Ne duhet të bëjmë çmos që ngjarje të tilla të mos përsëriten. Dhe kjo, aq sa e bën të nevojshme betejën për votën e lirë, po aq e bën edhe qesharake protestën e Lulzim Bashës. / mapo