Sport Telushi rikthehet me gol, shpëton Partizanin nga humbja

Telushi rikthehet me gol, shpëton Partizanin nga humbja

Partizani dhe Laçi ndanë nga një pikë në përballjen mes tyre në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, takim i vlefshëm për javën e 31-të të Kategorisë Superiore.

Bardhezinjtë e drejtuar nga Sulejman Starova kaluan të parët në avantazh, në minutën e 22-të me anë të shkodranit Ndriçim Shtubina, i cili ekzekutoi saktë një 11-metërsh.

Barazimin Partizani e gjeti vetëm në minutat e fundit të takimit, me anë të mesfushorit vlonjat Bruno Telushi, i cili u rikthye pas një dëmtimi të gjatë.

Me këtë barazim, Partizani çon në 11 pikë distancën nga Kukësi ndjekës, por që mund të reduktohet në 8, nëse verilindorët mposhtin Teutën nesër.

Nga ana tjetër, Laçi mbetet në vendin e pestë, në kuotën e 45 pikëve, duke mbajtur gjallë shpresat për një vend në zonën europiane.