Ekonomi Tenderi i pompave, kush fshihet pas kompanisë fantazmë Penzoil dhe disa dyshime...

Tenderi i pompave, kush fshihet pas kompanisë fantazmë Penzoil dhe disa dyshime për korrupsion në ministrinë e Ekonomisë

Gjykata Administrative e Tiranës vendosi pranimin e pjesshëm të ankesës së kryer nga Penzoil Trading SA, në lidhje me tenderin e dhënies me koncesion të kontrollit të pompave të karburantit, bërë nga Ministria e Financave në 2018-ën.

Padia në gjykatë kundër ministrisë u bë nga kompania zvicerane Penzoil Trading SA, e cila kërkonte të merrte pjesë në tender. Kjo kompani pretendonte që penalizohej nga kriteret specifike të cilat do t’i sqarojmë më poshtë. Më parë Penzoil Trading SA kishte bërë një ankesë te Komisioni i Prokurimit Publik, KPP, që kishte shkaktuar pezullimin e tenderit nga data 28 Shtator 2018 deri ne 7 Shkurt 2019, kur KPP pas shume vonesave në vendimmarrje, vendosi te rrezoje te gjitha pikat e ankesës se Penzoil Trading SA.

Ajo që ngjall dyshim është fakti se si kompania Penzoil Trading SA, që deklaron se merret me tregtinë e karburanteve, vendos të futet në një fushë të re aktiviteti, inspektimi, për më tepër jo në vendin ku ka selinë e vet kryesore po në një vend ku nuk ka asnjë aktivitet. Tjetër problematike është konflikti i rëndë i interesit, sepse një kompani që është e angazhuar në tregtinë e karburanteve, nuk mund të bëjë dhe inspektimin e pompave matëse.

Kompania rezulton e themeluar ne 2011, dhe që atëherë ka ndryshuar emër shpesh, ndërkohë që në momente caktuara ka qene dhe ne procese falimentimi. Nga të dhënat e ekstraktit të kësaj kompanie, rezulton qe vetëm në shtator 2018 ka bërë dy ndryshime në të dhënat e biznesit, njëri me datë 17 Shtator (që koincidon me shpalljen e tenderit ne Shqipëri) ka ndryshuar adresën dhe njëri më 29 Shtator (që koincidon me depozitimin e ankesës në KPP) ku zgjeronte fushën e aktivitetit.

Faqja zyrtare e kompanisë është hapur në fillim të vitit 2018 dhe në të nuk ka asnjë të dhënë për aktivitetet e kompanisë në të shkuarën apo drejtuesit e saj. Nga një kërkim në Linkedin, rezultoi se kompania ka vetëm katër punonjës, të gjithë shtetas italianë të punësuar në janar 2018.

Kompania është e regjistruar në Zvicër me administrator Simon, Giovanni Simone. Për këtë person nuk ka asnjë të dhënë tjetër, përveç se punon tek kjo kompani.

Historiku i kësaj kompanie është si në vijim: Në 2006 u regjistrua në Zvicër kompani Varteg Energy, kompani bijë e kompanisë ruse të tregtimit të naftës Neftetransportnaya Kompaniya OOO, e vetmja kompani me aktivitet nga të gjitha kompanitë e tjera.

Varteg krijoi me 9 shtator 2011 kompaninë BKB Energy SA me administrator, Fazzone Gregorio, shtetas francez dhe president shtetasin italian Trimboli Ëalter. Kjo kompani ë kishte selinë në Gjeneve. Objekti i kompanisë ishte tregtimi ndërkombëtar i naftës dhe produkteve të saj.

Në 16 prill 2014, kompani ndryshoi emrin nga BKB Energy SA në Noah Energy SA.

Më 13 prill 2016, kompani ndryshoi emrin nga NOAH Energy u bë Penzoil Trading SA.

Këto fakte arsyeshëm të bëjnë të mendosh se një individ ose kompani shqiptare ka tentuar ta përdorë kompaninë për të fshehur interesat e tyre. Nga disa burime, përflitet se pas veprimeve të kësaj kompanie mund të jete Rezart Taçi, dikur një nga biznesmenët më aktive në sektorin e naftës në Shqipëri. Rezart Taçi njihet për përdorimin e kompanive zvicerane, kur privatizoi ARMO kompania që u përdor prej tij, Anika Enteprises, ishte me seli në Zvicër. Gjithashtu janë të njohura problemet që ka patur ky biznesmen në Zvicër, ku dhe u arrestua pasi prokuroria në Zvicër e akuzonte për mashtrim dhe falsifikim dokumentash.

Është interesant fakti që në momentin që në skene shfaqet kjo kompani, fasadë për biznesmenë të dyshimtë, fillojnë dhe qëndrimet joligjore të institucioneve shqiptare, duke filluar me vonesën jashtë afateve të vendimmarrjes së KPP. Në fakt dhe KPP u detyrua të merrte vendim vetëm pasi u padit nga Noa Control në gjykatë. Seria e veprimeve jashtëligjorë vazhdon pastaj me injorimin nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të vendimit të vetë KPP për hapjen e ofertave të tenderit.

Sidomos mosveprimi i Ministrisë lë shumë për tu dyshuar, dhe nuk mund të justifikohet me padinë e Penzoil në gjykatë, pasi vetë ligji po dhe vendimi i KPP kërkon hapjen e tenderit. Ky mosveprim gjithashtu mbart pasoja ligjore penale për personat përgjegjës në Ministri.

“Koncertin” e veprime përtej ligjit e vazhdon më tej gjykata, që pranon padinë e Penzoil, po nuk fton Noa Control, si palë e interesuar, në procesin që zhvillohej në gjykatë. Për më tepër gjykata në vendimin e saj e gjykon si të panevojshme pikën në dokumentat e tenderit ku kërkohet një certifikatë akreditimi nga Drejtoria e Akreditimit në Shqipëri.

Kjo krijon një precedent të rrezikshëm ligjor, që praktikisht i hap rrugën kompanive fantazëm të huaja që duan të marrin pjesë në tendera në Shqipëri (si rasti i kompanisë ‘amerikane’ që fitoi tenderin e Unazës së Re dhe OST në 2018).

Në të gjithë këtë seri veprimesh mbështetëse ndaj kompanisë fantazmë Penzoil, institucionet kanë braktisur Noa Control, kompania tjetër që mori pjesë në tender, e themeluar në prill 2015 dhe përfaqësuese ne Shqipëri e një kompani me emër ndërkombëtare inspektimesh, Applus.

Institucionet preferojnë të qëndrojnë pas kompanive guackë, dhe jo të mbrojnë kompanitë që operojnë me standarde, dhe kanë një veprimtari transparente, lehtësisht të verifikueshme.

Kjo tregon që kur vjen fjala për kompani fantazëm, për interesa korruptive pushtetarët janë të gatshëm të sakrifikojnë bizneset shqiptare.

Do të ndjekim në vijim të gjithë procesin e këtij projekti, për kuptuar nëse institucionet do të vazhdojne serinë e veprimeve mosligjore për të mbështetur kompaninë guackë Penzoil. Gjithashtu prokuroria duhet të hetojë se kush janë aksionerët reale të Penzoil dhe çfarë lidhjesh mund të kenë ata me pushtetarë ose në Ministri.

Duhet theksuar që çdo vonese në këtë proces, është thjesht një kohë e fituar për të gjithë ato subjekte që vazhdojnë të abuzojnë me sasinë e naftës që i jepet ne distributor konsumatorit.

Tenderi i pompave

Si kanë rrjedhur ngjarjet?

Në dhjetor 2016, kompania Noa Control i bëri Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë një propozim të pakërkuar për marrjen me koncesion të kontrollit të pompave të karburantit, detyrë që deri më tani e bën Drejtoria e Metrologjisë. Kjo drejtori merr çdo vit rreth 80 milionë lekë në vit nga buxheti i shtetit. Ajo bën dy herë në vit kontrollin në pompat e gazit, naftës apo çdo lloj karburanti bëhet dhe kolaudon pompat në pikat e shitjes për të verifikuar që ka të gjithë elementët e sigurisë dhe nuk janë manipuluar.

Më 20 qershor 2018, qeveria Rama vendosi të pranojë propozimin e kompanisë Noa Control dhe të nisë tenderin për dhënien me koncesion të kontrollit të pompave të karburantit. Qeveria i dha një bonus prej 10 për qind të pikëve kompanisë Noa Control, si nismëtare dhe hartuese e propozimit të paraqitur në ministri.

Sipas VKM-së, koncesioni do të zgjaste 20 vjet dhe do të ishte Ministria e Financave dhe Ekonomisë ajo që do të zhvillonte tenderin. Xhiroja vjetore (jo fitimi) e projektit priteshin të ishin rreth 800 mijë EUR, ndërkohë që spekullimet keqdashëse në disa media deklaronin sikur vetëm fitimi i projektit do të ishte 50 milion deri 60 milion EUR.

Menjëherë pas VKM-së, Ministria e Financave hapi tenderin ndërkombëtar dhe shpalli kriteret që duhet të plotësonin kompanitë. Në shpalljen e tenderit, Ministria nuk kishte bërë asnjë parashikim për koston financiare të koncesionit. Afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve nga kompanitë ishte data 18 tetor 2018.

Pak ditë përpara mbylljes së afatit të tenderit, kompania zviceriane Penzoil Trading SA, e cila donte të hynte në garë, bëri një ankesë në Komisionin e Prokurimit Publik për shkelje të parimeve të konkurrencës gjatë procesit të tenderimint. Sipas kompanisë zviceriane, dy kriterete të vëna nga Ministria e Financave paracaktonin si fituese kompaninë shqiptare Noa Control dhe penalizonin kompanitë e huaja që donin të merrnin pjesë në këtë tender ndërkombëtar.

– Kriteri i parë i venë nga Ministria e Financave ishte që kompania të ishte e akredituar me certifikatën ISO/IEC 17020:2012 lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, pra nga një insitucion shqiptar. Ky kriter penalizonte kompanitë e huaja që kanë të njëjtën certifikatë akreditimi nga institucionet e huaja. Ndërkohë e vetmja kompani që kishte këtë akreditik ishte kompania Noa Control.

– Kriteri i dytë ishin vitet e eksperiencës: kompania fituese duhet të kishte 3 vite eksperiencë në fushën e inspektimit. Kompania Noa Control e plotësonte këtë kusht pasi që prej 2015-ës kur u themelua, ajo ka përfituar disa kontrata përfshirë dhe nga institucione publike si Ujësjellës Kanalizimet Tiranë.

Në ankesën drejtuar Komisionit të Prokurimeve kompania zviceriane i quajti këto kritere si përjashtuese të kompanive të huaja dhe favorizuese të kompanisë Noa Control.

Ankesa e Penzoil Trading SA bllokoi për katër muaj shpalljen e kompanisë fituese, pasi Komisioni i Prokurimit Publik e shtyu shqyrtimin e saj për arsye jo publike.

Më 7 shkurt 2019, katër muaj më vonë, Komisioni i Prokurimit Publik hodhi poshtë ankesën e kompanisë zviceriane dhe i lejoi Ministrisë së Financave të vazhdonte procedurat e tenderimit. Por kompania zvicerane vendosi të çojë në gjykatë ankesën e saj.

Më 19 mars, kompania paditi Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë në Gjykatën Administrative të Tiranës. Sipas padisë, kriteret specifike të vëna nga Ministria nuk lejojnë zhvillimin e një gare të hapur dhe me konkurrencë. Po ashtu, kompania paditi dhe vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik dhënë më 7 shkurt, ku hidhej poshtë ankimimi i kompanisë zvicerane dhe i hapej rrugë përfundimit të tenderit nga ministria.

Më 27 maj, Gjykata Administrative e Tiranës vendosi të pranojë ankesën e kompanisë Penzoil Trading SA, të anulojë vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik dhe të kërkojë ribërjen e tenderit me kritere të ndryshuara.