Bota Tension në Gjirin Persik, anijet iraniane penguan cisternën britanike

Tension në Gjirin Persik, anijet iraniane penguan cisternën britanike

Anije të armatosura të Gardës Revolucionare iraniane, u përpoqën pa sukses të ndalonin një cisternë britanike nafte në Gjirin Persik.

Ministria e Mbrojtjes ne Mbretërinë e Bashkuar tha se cisterna British Heritage po kalonte ngushticën e Hormuzit kur iu afruan anijet iraniane, duke urdhëruar ekuipazhin të  ndryshonte itinerar dhe tw ndalonte në ujëra të afërt territorial të Iranit.

Por forcat iraniane u sprapsën nga një luftanije e marinës mbretërore që po shoqëronte cisternën. Një zëdhënës sqaron se fregata HMS Montroz u pozicionua mes 3 anijeve iraniane dhe cisternës britanike, para se të lëshonte paralajmërime verbale ndaj tyre.

Ministria e mbrojtjes pretendon se veprimet e Iranit kishin qenë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Rojet Revolucionare iraniane mohuan pretendimet, duke thënë se po të kishin marrë një urdhër për të kapur cilëndo anije, këtë do ta kishin bërë menjëherë.

Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars, transmetoi një deklaratë të Rojave sipas të cilave “nuk ka pasur asnjë përplasje me ndonjë anije te huaj, posaçërisht britanike”.