Bota Tension në veri të Kosovës, mbyllen pikat e kalimit në Jarinje dhe...

Tension në veri të Kosovës, mbyllen pikat e kalimit në Jarinje dhe Bernjak (VIDEO)

Vendimi i qeverisë se Kosovës për të zbatuar nga 1 gushti reciprocitetin në kufirin me Serbinë, duke penguar hyrjen e shtetasve serb pa një fletë-dokument për hyrje-dalje në vend, si dhe ai për fillimin e procesit të heqjes së targave jo zyrtare nga automjetet, po shkakton tension në zonat e banuara nga komuniteti serb.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë mbyllur pikat kufitare në Jarinje dhe Bernjak, për shkak të bllokimit të rrugëve dhe ka bërë thirrje për qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare.

Serbët në veri kanë bllokuar disa rrugë disa orë para fillimit të masave të reciprocitetit me dokumente. KFOR-i ka dalë në terren për të vëzhguar situatën, ndërsa në komunat në veri është ndezur një alarm që bën thirrje për mbledhje të qytetarëve.

Ndërkohë, forca të shtuara të Njësisë speciale të Kosovës kanë arritur tek ura e lumit Ibër, përfshirë edhe pjesëtarë të KFOR-it dhe karabinierët italianë.

“Policia e Kosovës ka mbyllur kufirin për qarkullim udhëtar dhe për automjete në pikë kalimet kufitare Bernjak dhe Jarinje, për shkak të bllokimit të rrugëve  në drejtim të këtyre pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bernjak. Njoftohen të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të gjithë shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë, nga kjo e hënë nuk do të lejohen të shkelin territorin me dokumente të Serbisë, por do të pajisjen me një fletë-dokument për hyrje-dalje në vend.

Reciprociteti është i vlefshëm dhe për automjetet e regjistruara në Serbi, të cilat duhet të pajisen me targa të Kosovës për të kaluar kufirin.

Në qershor, Qeveria e Kosovës u vendosi dy muaj afat qytetarëve serbë që të heqin targat ilegale. Në veri të Kosovës ka pasur disa reagime kundër vendimit, ndërsa nuk kanë munguar as deklarata të krerëve të Serbisë.